Administratorja e Dhomave të Specializura, Fidelma Donlon, thotë se mbrojta e dëshmitarëve dhe mbështetja e tyre është prioritet për Gjykatën e Speciale.
Ajo në një intervistë për KOHËN, ka thënë se Gjykata ka qenë shumë e fokusuar në këtë drejtim që nga fillimi.
Donlon ka thënë se deri më tash në rastin Thaçi dhe të tjerët, nëntë personave u është dhënë statusi i viktimave pjesëmarrëse. Njëjtë edhe në rastin Mustafa.
“Në lidhje me viktimat, pjesëmarrjen e viktimave, gjykata ka qenë shumë e fokusuar që nga fillimi. Pra, që nga viti 2016, në komunikim me publikun, jo vetëm për të shpjeguar mandatin tonë, por edhe për të arritur te njerëzit për t'u siguruar që ata e kuptojnë se nëse ata kanë qenë persona që janë dëmtuar nga një krim që supozohet se është kryer, ata mund të aplikojnë për të marrë pjesë në procedurat para gjykatës. Kështu që ekipi ynë në terren së bashku me Zyrën tonë të Pjesëmarrjes së Viktimave kanë bërë punë të konsiderueshme, do të thosha këtu në Kosovë për të arritur dhe për të informuar njerëzit për të drejtat e tyre. Tani, ajo që ne shohim deri më tani në vendimet e gjykatës është se në rastin Thaçi dhe të tjerët, nëntë individëve u është dhënë statusi i viktimave pjesëmarrëse në procedura. Po kështu, në rastin Mustafa, nëntë individëve të tjerë u është dhënë statusi i viktimave pjesëmarrëse. Por ajo që mendoj se është e rëndësishme të thuhet është se procesi për të aplikuar si viktimë pjesëmarrëse është ende i hapur”, ka thënë Donlon.