Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje, Milorad Dodik, i është kundërpërgjigjur emisarit amerikan Gabriel Escobar për deklaratat që i dha në Kosovë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Escobar u shpreh se i cilëson të dëmshme deklaratat e Dodikut, por theksoi se nuk mendon që një entitet me 750 mijë qytetarë ka kapacitetin për të kundërshtuar NATO-n apo të shpallë pavarësinë.
Në një shkrim në Twitter, Dodiku ka thënë se “amerikanët dridhen kur e mendojnë se nuk qeverisin këtu në mënyrën që duan”.
“Kjo tregon përse Republika Sërpska është e fuqishme. Ata po përpiqen ta shkatërrojnë Marrëveshjen e Daytonit dhe na fajësojnë neve. Kjo është përse Republika Sërpska ka fuqi”, ka thënë Dodiku, teksa ka akuzuar SHBA-në se po bëjnë presion në kohën kur Bosnja e Hercegovina po pret statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas Dodikut, politika e SHBA-së në Ballkan është në krizë. Ai ka krahasuar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Kosovës me kritikat në raport me përpjekjet për pavarësimin e Republikës Sërpska.
“Nëse ju amerikanët avokoni që Kosova të jetë shtet, përse ju pengon që Republika Sërpska të jetë shtet”, ka thënë tutje Dodiku.
Në fund, Dodiku ka thënë se deklaratat e Escobarit vijnë nga frika se Donald Trumpi do të fitojë në zgjedhjet e fundvitit. Sipas tij, në Republikën Sërpska është Trumpi ai që përkrahet.