Presidenti i entitetit të Republika Sërpskas, Milorad Dodik, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë një ditë do të jetë një Republika Sërpska.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar vazhdimisht themelimin e Asociacionit duke thënë se nuk do të lejojë që “të ketë një Republika Sërpska të re”.
“Është shumë mirë që thonë kështu, një ditë do të jetë Republika Sërpska. E mendoj këtë në kuptimin thelbësor. Do të quhet Asociacion i komunave serbe, do të ketë funksione ekzekutive të qeverisë siç ka Republika Sërpska. Marrëdhënie speciale me Serbinë siç ka Republika Sërpska”, ka thënë Dodik për “Klix.ba”, raporton KOHA.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media të hënën ka folur për pasojat ekonomike e politike që e presin vendin e tij nëse e refuzon propozimin e njohur si franko-gjerman.
Dodik ka thënë se masat e ashpra, si tërheqja e fondeve, ndalimi i negociatave për integrim të Serbisë në BE, e po ashtu vendosja e regjimit të vizave, e sanksione tjera, do të godasin dhe ndryshojnë “pozitën ekonomike, sociale dhe gjeopolitike të serbëve”.
Dodik ka thënë se “kërcënimet nga Perëndimi janë shtuar dhe se pozita e Gjermanisë është forcuar”.
“Gjermania, e cila është antiserbe në atë zonë të Ballkanit. Gjithmonë ka qenë antiserbe, nuk ka qenë racionale, reale dhe gjithmonë ka qenë kundër serbëve. Kështu është edhe në këtë rast me Kosovën”, ka thënë Dodik.