Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Milorad Dodik, ka kërkuar që vendimi për propozimin franko-gjerman, që tashmë po njihet si propozimi evropian, të merret bashkërisht nga Qeveria e Serbisë, opozita dhe po ashtu nga shoqëria serbe në tërësi.
“Nëse plani franko-gjerman refuzohet, atëherë duhet të refuzohet ng Qeveria, opozita dhe nga shoqëria në tërësi. Gjithashtu, nëse pranohet, atëherë duhet pranuar nga të gjithë bashkë”, ka shkruar Dodik në Instagram.
Ai ka shtuar se “serbët, kudo që jetojnë, duhet të jenë të bashkuar rreth negociatave”.
Dodik ka thënë se duhet marrë parasysh edhe pasojat e përgjithshme në lidhje me këtë çështje.
“Nëse refuzojmë, duhet bërë bashk kjo, nëse pranojmë, po ashtu duhet pranuar bashkë. E kjo është e rëndësishme që Serbia dhe serbët të mos jenë të ndarë sërish”, ka thënë Dodik.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një postim në Instagram ka thënë se “plani është që të tregohet se Serbia dëshiron dialog e kompromis”.