Arbëri

Dobreci – mjeku intelektual që ruajti vlerat autoktone të Shestanit

Vinte fare i imët nga shtati, por mjeku intelektual që mbante përherë borsalinë njihej edhe përtej Ulqinit. As kufijtë mes botës shqiptare dhe as profesioni prej specialisti nuk qenë aspak pengesë për t’i vënë fre vullnetit të tij për të krijuar bashkime mes shqiptarësh nga Tivari e deri në Shkodër.

Të martën në moshën 86-vjeçare, mjeku, intelektuali e krijuesi ulqinak, Simë Dobreci, ka dhënë frymën e fundit. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari nga Ulqini, Gjergj Anton Filipaj, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Paç dritë dr. Simë Gjon Dobreci! Ke kenë nji prej simboleve të Ulqinit dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Mjek, patriot, hulumtues, shkrimtar, kronist i ditëve tona!”, ka shkruar ai paraditen e së mërkurës.

Për miq e kolegë të të ndjerit, Simë Dobreci ishte shëmbëllimi i një mjeku vullnetmirë e veprimtari të spikatur. Me interesime të gjalla për etnografinë dhe folklorin vibrant nga trevat shqiptare në të dyja anët e Liqenit të Shkodrës, ai në të gjallë të tij ishte kthyer në simbol të shqiptarëve në Mal të Zi.

Ndonëse i pensionuar prej dy dekadash, vitet pleqërishte ai i kishte kthyer në angazhim pasionant për të ngjallur jetën kulturore në Mal të Zi. Pos si redaktor shumëvjeçar i revistës kulturore “Buzuku”, si dhe nismëtar i nismave kulturore në këtë shtet, Dobreci do t’i jepte jetë edhe librit “Krijime popullore shestanase”, një zhbirim fascionant me thesaret etnografike të Krajës dhe Shestanit.

Për njohësit e jetës dhe veprës së tij, Dobreci luftoi për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve kudo që shërbeu me mantelin e bardhë, kurse jashtë këtij profesioni ai ia vuri vetes detyrë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore të trevës së Shestanit.

Me t’u kthyer në vendlindjen e tij, në Braticë, ai do të gjallëronte jetën kulturore të këtyre anëve. Si intelektual i angazhuar, Dobreci do të bëhej një nga nismëtarët për themelimin e “Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi”, ashtu sikundër me të njëjtin zell ishte bashkorganizator për simpoziumet Ulqin-Shkodër.

“Ishte gjithsesi i veçantë dhe me preokupime jo vetëm të një mjeku”, e ka vlerësuar miku i tij, Zenun Çelaj, i cili më 1968 ishte njohur me Dobrecin. Kishin banuar në të njëjtin pallat, në lagjen “Ulpiana”. Ishte koha kur ulqinaku i ri kishte ardhur në Prishtinë pasi kishte shërbyer disa vjet si mjek në vendlindjen e tij.

“Ishte entuziast i veçantë i mësimit të gjuhës standarde të shqipes. Ai, me gjithë vullnetin e tij, gjithë shkollimin, deri në mbarim të universitetit, e kishte bërë në gjuhën serbe, por vazhdimisht me merakun që të mësonte gjuhën e të parëve të vet, shestanasve”, ka thënë Çelaj.

Ende i ka të thadruara në mbamendje kur merrte telefonata në orët e vona të natës nga Dobreci, i cili e pyeste se si shkruhej drejt ndonjë fjalë shqipe.

“Për pak kohë shqipen e zotëroi me përpikëri. Lektorët e revistave ku botonte thoshin se nuk ia gjenin asnjë gabim gjuhësor”.

Ashtu si krejt kuadri arsimor shqiptar në fillim të viteve '90, edhe profesorin e asokohshëm të mjekësisë e ndoqi i njëjti fat. Kolegët e tij mbajnë mend se si ai kishte vazhduar punën edhe në kushtet e mësimit nëpër bodrume.

“Ndërkohë u kthye në Braticë, vendlindjen e tij afër Ulqinit, prej ku brodhi fshat më fshat në Shestanin e origjinës, një zonë në ditët e fundit të asimilimit, ndërsa nga ata pak banorët që e dinin origjinën vazhdoi të mblidhte rrëfime e histori”, ka theksuar Çelaj.

Rrëfimet e mbledhura do t’i botonte në revistën “Buzuku”, në dialektin shestanas - një pasuri e çmuar për dialektologët. Kurse emrin e tij Simon e kishte ndryshuar në Simë.

“Kur e pyeta pse e kishte ndryshuar emrin, ai ma ktheu: ‘Ë-ja e bën më shqip emrin tim’”, shton Çelaj.

“Mbrojtësi i autoktonisë shqiptare në Shestan”

Duke evokuar njohjen me intelektualin ulqinak, Hysen Matoshi – drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë – ka thënë se e ka njohur sa personalisht Dobrecin, po aq edhe veprën e tij shkrimore për identitetin shqiptar.

Vetë Instituti Albanologjik kishte prezantuar dy vepra të tij “Krijime popullore shestanase” (2017) dhe “Përmbledhje vlerash njerëzore” (2019).

“Duhet thënë se, pa i munguar aspak sferës profesionale - mjekësisë, profesor Simë Dobreci ka dhënë një ndihmesë të çmuar edhe në kulturën tonë kombëtare”, ka thënë Matoshi në një prononcim për KOHËN.

Me botimin e revistës kulturore “Buzuku”, sipas tij, Dobreci bënte përpjekje për të dritësuar të kaluarën e viseve shqiptare në Mal të Zi, “një pjesë e konsiderueshme e të cilave kanë tretur nën vorbullën e tmerrshme të mërgimit dhe të asimilimit”.

“Rrjedhimisht i ka vënë detyrë vetes që ta qartësojë dimensionin etnik autokton shqiptar të Shestanit veçanërisht dhe të Krajës përgjithësisht, duke ofruar dëshmi të qarta nga trashëgimia e kulturës popullore të këtyre viseve, por edhe duke prezantuar lëndë të çmuar gjuhësore e historike si një aspekt i rëndësishëm dokumentar”, ka thënë Matoshi.

Sipas drejtorit të Institutit Albanologjik, ikja e Dobrecit do të lërë boshllëk të madh në njohjen e vlerave shqiptare të Shestanit, por, sipas tij, ai ka lënë një monument shkrimor të patretshëm.

“Libri ‘Krijime popullore shestanase’ i profesor Simë Dobrecit është një monument i rrallë që do të shtegtojë në mbarë hapësirën shqiptare dhe madje edhe në ardhmërinë tonë, duke i dëshmuar të sotmes dhe brezave tanë të ardhshëm se Shestani dhe Kraja përgjithësisht ishin treva të gjalla e produktive kulturore, pjesë e botës shqiptare, e vlerave të saj arkaike, origjinë dhe mbështetje e fuqishme e krijimit të njërit ndër ngulimet më me ndikim në historinë tonë, sikundër ishte kolonia e Arbëneshit të Zarës”, ka vlerësuar Matoshi.

“Shembull i rezistencës paqësore”

Edhe ish-gazetari Rexhep Rifati e ka vlerësuar Dobrecin si mjek të shquar e intelektual që ka lënë pas vetës një emër të mirë në shkencë, politikë e publicistikë. Duke u kthyer pas në kohë, ai ka kujtuar se mjeku ulqinak ishte i vetmi që mbrojti propozimin e Kuvendit komunal të Kaçanikut për të marrë pjesë në financimin e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, që kontestohej nga Serbia.