Arbëri

Dobra: Me ligjin e ri paga mesatare në sektorin publik do të rritet në 768 euro

Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka deklaruar se aktualisht paga mesatare në sektorin publik është 659 euro, ndërsa me ligjin e ri të miratuar nga Qeveria, pritet që mesatarja të rritet në 768 euro, apo 110 euro më shumë.

I ftuar të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Dobra ka thënë se me ligjin që është ende në fuqi, paga më e lartë është 20 herë më e madhe sesa ajo më e ulët në këtë sektor dhe se me ligjin e ri nuk do të ketë dallime të tilla.

“Ligji është hartuar në mënyrë të tillë që respekton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikat më të mira. Sot për shkak se ligji ende nuk zbatohet, paga më e lartë është 20 herë më e lartë sesa ajo më e ulëta. Me ligjin që ne e kemi sjellë, që e kemi miratuar dhe që do të fillojë së zbatuari, ky dallim do të zbresë në 4.78 herë. Në vendet e BE-së kemi parë statistika të ndryshme, mesatarja është diku 7. Paga mesatare në sektorin publik është 659 euro, ndërsa me ligjin e ri, paga mesatare do të jetë 768 euro, kemi një rritje prej 110 eurosh”, ka thënë ai.

Dobra ka shtuar se koeficienti i prezantuar të mërkurën është paga bazë e zyrtarëve publikë, ndërsa kësaj page do t’i shtohet edhe shtesa për përvojën e punës dhe shtesa të tjera.

“Kjo është paga bazë. Pagës bazë do t’i shtohet edhe shtesa për përvojën e punës dhe shtesa të tjera që zyrtarët mund t’i marrin sipas legjislacionit në fuqi. P.sh mjeku që vendos t’ia dedikojë karrierën e vetë shërbimit publik dhe mos të punojë në sektorin privat, ai do ta ketë një shtesë deri në 25 për qind të pagës. Për shkak të shtesës për përvojë të punës, dikush që ka 20 vjet përvojë pune, do ta ketë koeficientin 111.6, pra nuk mbetet 105 sa ka qenë. P.sh në Polici, përvoja mesatare është 18 vjet”, është shprehur ai.