Arbëri

“Do vdesim këtu!” thonë naftëtarët e Ballshit në ditën e katër të grevës së urisë

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e katër të grevës së urisë. Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen edhe përkeqsohet. Ata janë shprehur për mediat se kanë lodhje fizike, dhimbje koke dhe këputje, për shkak të refuzimit të ushqimit.

“Sa vjen dhe rëndohem. Më merret fryma në gjoks, ndjej një si helm, dhimbje të këmbëve, gjunjëve, ja shtrirë. Derisa të vdesim këtu jemi. Çfarë do bëj në shtëpi unë? S’kam ti çoj bukë kalamajve. S’ka tjetër rrugë. I kam humbur shpresat.”, u shpreh një prej naftëtarëve.

Naftëtarët kanë refuzuar edhe ndihmën mjekësore. Kreu i sindikatës, Sokol Dautaj është shprehur se ata kanë hyrë në grevë për të vdekur dhe jo për t’u mjekuar. Po kështu ata kanë refuzuar edhe mjekët, të cilët shkuan për t’i kuruar. “Mjekët nuk na erdhën që ditën e parë. S’do i pranojmë mjekët edhe sikur të dalim të vdekur. S’ka rëndësi gjendja jonë, nuk duam ndihmë. Grevën do ta vazhdojmë me ujë dhe sheqer. Ku ishin deri dje mjekët, pse vijnë sot?”– deklarojnë ata.

Kujtojmë që naftëtarët prej disa muajsh protestonin për të marrë pagat e tyre, por deri më tani zëri i tyre nuk është dëgjuar, duke i detyruar ata hyjnë në grevë urie.

Pas mbylljes së rafinerisë që administrohet nga “Tosk Energji”, janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Disa ditë më parë ata protestuan edhe para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe kërkuan takim me ministren Balluku, por kjo e fundit nuk i priti në zyrë/Shekulli.