Arbëri

DKA-ja kërkon të ndërrohet kryesia në çerdhen ku u ngritën dyshime për vjedhje

Këshillit drejtues të çerdhes “Botanika”, së cilës dyshohet se i janë keqpërdorur fondet nga udhëheqësia e kopshtit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë i ka kërkuar që brenda një jave të ndërmarrë hapa për ndryshimin e kryesisë së saj. Sipas njoftimit të DKA-së, ky vendim është marrë për shkakun që drejtuesit e deritanishëm të kopshtit janë përfshirë në procedura ligjore të auditimit dhe të organeve të rendit. E përfaqësues të Këshillit të prindërve kanë thënë se do t’i ndërmarrin masat e kërkuara

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë (DKA) ka rrëzuar vendimin e Kuvendit të çerdhes me bazë në komunitet “Botanika”, i cili javën e shkuar e ka emëruar si ushtruese të detyrës drejtoreshën e deritashme të saj, ani se ajo është e dyshuar se është përfshirë në skema të keqpërdorimit të fondeve.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka kërkuar nga Këshilli i prindërve që brenda një jave të ndërmarrë hapa për ndryshimin e kryesisë së çerdhes. 

KOHA javën e shkuar ka raportuar se drejtuesja e çerdhes, Kadrije Asllani, është zgjedhur joligjërisht edhe për tre muaj të tjerë si ushtruese e detyrës së kësaj pozite, pasi që asaj i ka skaduar mandati.

E në dokumentin e DKA-së janë edhe numëruar arsyet përse duhet bërë ky veprim. 

“Sipas pikës 1 të këtij njoftimi, shkresa adresohet në një situatë kur udhëheqësit e kopshtit ‘Botanika’, janë në procedura ligjore në kuadër të auditorit të brendshëm të Komunës së Prishtinës, si dhe organeve të Policisë së Kosovës”, thuhet në dokumentin e DKA-së në Prishtinë.

Përfaqësues të Këshillit të prindërve të çerdhes “Botanika”, të cilët sipas statutit janë përgjegjës për propozimin e drejtuesit të institucionit, kanë thënë se këtë vendim e shohin të drejtë dhe janë zotuar se do t’i ndërmarrin masat e nevojshme.

“Ne jemi të përkushtuar që të zbatojmë vendimin që është marrë edhe më herët nga DKA-ja (për mosvazhdim të kontratës së drejtueses Asllani) dhe për çfarëdo veprimi tjetër konform Statutit dhe Rregullores së Brendshme të I.P ‘Botanika’. Ky vendim ndonëse u kontestua nga një pjesë e prindërve gjatë takimit të mbajtur më 11.04.2025, ai do të mbetet në fuqi dhe i zbatueshëm në përputhje me përgjegjësitë tona”, kanë thënë në këshill të prindërve.

Në këtë Këshill kanë bërë të ditur po ashtu se do të emërohet një ushtrues detyre derisa të zgjidhet kryesia tjetër.

KOHA ka pyetur edhe anëtarët e Kuvendit të çerdhes nëse e pranojnë vendimin e ri të DKA-së, porse deri në mbrëmjen e së martës ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Sipas DKA-së në Prishtinë, në rast se këshilli drejtues nuk arrin që të ndërmarrë hapa për ndryshimin e udhëheqësisë, atëherë Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë masa si: vazhdimi i vendimit për ndalim të subvencioneve në këtë çerdhe, ndalimi i pagesës së shujtave ditore, rishqyrtimi i marrëveshjes për shfrytëzim të objektit aktual që është në pronësi të komunës, si edhe ndalimi i çdo forme tjetër të subvencionimit nga Komuna e Prishtinës.