Arbëri

Djali i Ivanoviqit në shtatëvjetorin e vrasjes së babait: Jam i zhgënjyer, por kam shpresë

Oliver Ivanoviq, politikani serb që u vra në veri më 16 janar 2018

Oliver Ivanoviq, politikani serb që u vra në veri më 16 janar 2018

Kanë kaluar shtatë vjet nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Ndërsa vitet kalojnë, e vërteta bëhet edhe më e largët. Ende nuk dihet se kush urdhëroi vrasjen e tij. Familja e Ivanoviqit janë të zhgënjyer, veçanërisht me autoritetet e Serbisë.

“Jam i zhgënjyer, jam shumë i zhgënjyer. Nuk kam pritur që duhet ta përjetoj gjithë këtë, këtë pjesë ku asgjë dhe askush nuk u soll para drejtësisë... Nuk prisja aq shumë nga Prishtina, por pritej shumë më tepër nga Beogradi, por kjo nuk po ndodh”, ka thënë djali i Oliverit, Nikola Ivanoviq në “N1”.

Ai ka thënë se Kosova ka dënuar disa persona që kanë dhënë ndihmë për vrasjen e babait të tij, por shton se ende nuk ndihen se kë ndihmuan ata.

“Nuk kemi emra, kë po ndihmonin? Kush e urdhëroi vrasjen e Oliverit dhe kë ndihmuan edhe në mënyrë indirekte? Dhe kjo është një pyetje që nuk ka përgjigje”, ka thënë Nikola.

E përderisa diçka po bëhet në Prishtinë, siç thotë ai, edhe pse pa shumë vullnet, gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Beograd “nuk ekziston”.

“Kam pasur mundësinë të jem në sallën e gjyqit në Prishtinë. Gjithçka ishte shumë kaotike. Kishte dëshmitarë që duhej të mbroheshin, por padyshim që prokuroria e tyre ishte e zënë dhe dëshmitarët nuk mbetën anonimë”, rrëfeu Nikola Ivanoviq.

Por djali i Ivanoviqit megjithatë ka ende shpresë se vrasja e babait të tij do të zbulohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq (i arratisur), Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vjet burgim së bashku.

Politikani serb Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, pranë zyrës së iniciativës së tij qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (Sloboda, demokratija, pravda-SDP) në Mitrovicën e Veriut. Ai e kritikoi mbështetjen e Listën Serbe nga Beogradi dhe paraqitjen e kësaj si të vetmen alternativë të serbëve të Kosovës. Në kohën kur u vra, ai ishte në proces rigjykimi për krime lufte lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Kosovës.