Arbëri

“Ditët e shqipes” në përkujtim të Betejës së Koshares

Nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, të martën, është organizuar manifestimi “Ditët e shqipes” për të përkujtuar Betejën e Koshares. Osmani deklaroi se kauza e lirisë dhe drejtësisë i bashkoi kundër gjenocidit serb. Në 25-vjetorin e Betejës së Koshares, të pranishmit thanë se janë këtu për të nderuar 114 heronjtë e UÇK-së, të cilët në këtë betejë bënë sakrificën më sublime duke u flijuar për lirinë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kauza e lirisë dhe e drejtësisë i bashkoi shqiptarët kundër gjenocidit serb. Në manifestimin “Ditët e shqipes”, që është organizuar të martën, në përkujtim të 25-vjetorit të Betejës së Koshares, Osmani ka theksuar se krahas luftëtarëve shqiptarë, në këtë betejë kanë rënë edhe shumë ushtarë të shteteve të huaja. 

“Sot jemi këtu për të nderuar 25-vjetorin e Betejës së Koshares dhe 114 heronjtë e UÇK-së, të cilët në këtë betejë bënë sakrificën me sublime duke u flijuar për lirinë tonë të çmuar. Beteja e Koshares është monumentale në historinë tonë të re. Në këtë ditë të 9 prillit përulemi para heronjve si Agim Ramadani, Sali Cekaj e shumë të tjerë, të cilët të bashkuar në betejën e Koshares nga anë të ndryshme të hapësirës shqiptare, por edhe të globit u bënë flijim për lirinë tonë. Në këtë betejë ranë edhe ushtarë nga shtetet e tjera të botës. Ata i bashkoi kauza e lirisë dhe drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. Ata nuk luftuan për lavdinë e tyre personale, por e fituan lavdinë e përjetshme, sepse mbrojtën dinjitetin tonë njerëzor dhe përmbushën amanetin e brezave për Kosovën e lirë”, ka thënë Vjosa Osmani gjatë këtij manifestimi përkujtimor. “Në këtë vend të shenjtë prehen të qetë heronjtë tanë, të cilët me luftën e tyre deri në vetëmohim kanë për t’i dhënë kuptimin e plotë lirisë që e gëzojmë sot. Para 25 vjetësh populli i Kosovës kërcënohej nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit, ishin këta heronjtë e Koshares, të cilët e ndezën shkëndijën e shpresës dhe shembën kufirin që ndante shqiptarët ndër vite. Pas luftimeve të ashpra dyditore në krye të betejës ra Agim Ramadani. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se historia e kësaj beteje duhet të njihet brez pas brezi.

“Duke i ndjekur datat e kalendarit historik të UÇK-së, sikur çdo vit tjetër gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit, 9 prilli na solli këtu në Koshare të Gjakovës edhe sot. Një kronikë e plotë kronologjike ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së. Por përball një sfide historie si kjo, që shkon e reduktohet në kohën e një fjalimi si ky, më lejoni që mes nderimesh të shquaj këtu disa fragmente dhe episode nga beteja e Koshares”, ka theksuar Albin Kurti.

Ndërkohë ish-komandanti i “Brigadës 138”, Rrustem Berisha, bëri thirrje që populli shqiptar të jetë më i bashkuar në këto kohë krizash.

“25 vjet më parë në orët e hershme të mëngjesit, njësitë e grupit të tretë operative filluan luftën frontale duke u nisur nga vija kufitare më qëllim të heqjes së kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare. Para kësaj date komanda e përparuar e ka përgatitur planin operativ për heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe këtë plan e kanë prezantuar Sali Çeku dhe Agim Ramadani dhe e kam miratuar unë si komandant dhe mbi bazën e atij plani është hequr kufiri shqiptar-shqiptar”, ka thënë ai.

E luftëtari Ali Çeku ka thënë se kjo betejë ka bërë kthesë në historinë e kombit shqiptar. 

“Kjo Brigadë e ka lavdinë e vet, sepse lufta e saj ka qenë një luftë specifike që ka ba një kthesë në historinë e kombit shqiptar, që e theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Mesazh kam që të mos harrojmë gjakun e dëshmorëve, dëshmorët, invalidët dhe ata që kanë rënë për themelet e këtij shteti të ri kosovar-shqiptar. U jap mesazh që edhe të rinjtë ta kujtojnë këtë betejë si të gjitha betejat e tjera”, tha ai.