Për të pestën ditë radhazi, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mosthirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së këtë të mërkurë i janë bashkuar edhe prodhues vendorë, të cilët kanë bllokuar hyrjen e Qeverisë së bashku me deputetët e kësaj partie.
Abedin Ramadani, që merret me prodhim të drithërave dhe sektorin e qumështit, ka thënë se kriza institucionale po e rëndon gjendjen e prodhuesve, që veçse po përballen me kosto të larta, treg të pasigurt e konkurrencë të fortë nga importi.
“Sot, përveç këtyre problemeve, kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë: mbylljen e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje që shteti të jetë partner i prodhuesve të vet dhe jo pengesë.
“Z. Kurti, konstituojeni Kuvendin. Lejojini deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale të qytetarëve, fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve. Situata është e jashtëzakonshme dhe, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real”, ka deklaruar Ramadani.
Edhe
PDK-ja kërkon që të enjten të vazhdojë seanca konstituive
PDK-ja në ditët e fundit ka përsëritur kërkesat që të thirret dhe të vazhdojë seanca konstituive, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet dhe vendi të dalë nga ngërçi institucional.
Deputetët e PDK-së kanë deklaruar se do të vazhdojnë aksionet e tyre deri në thirrjen e seancës konstituive, duke e akuzuar pushtetin për bllokim të institucioneve.