Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e nëntë të grevës së urisë, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.
Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e nëntë të grevës së urisë, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.
Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta që të ndërhyjnë urgjentisht, pasi nesër mund të jetë shumë vonë.
Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj ka folur për Report Tv, për grevën e urisë të naftëtarëve. Ai ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet dhe në nëntë ditë të grevës nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet.
"Jemi në ditën e nëntë të grevës së urisë, ju e keni parë që si kryetar i sindikatës kam qenë që të nëntat ditët dhe ata kanë menduar që ne po bëjmë një show me këtë grevë, ndaj sot dua të bëj një apel dhe dua të jem i prerë me këtë që them. Nëntë ditë grevë urie, nëntë ditë naftëtarët pa asnjë përgjigje. Nëntë ditë të gjitha institucionet heshtin. Ndoshta ata kanë menduar se ne po bëjmë një show dhe jetët tona varen nga një përgjigje e tyre. E shikojmë që problemet sa vijnë dhe na janë rënduar. Ne në qoftë se po na vjen ora e vdekjes, nuk do të vdesim këtu brenda, ta kenë të qartë ata. E kemi menduar mirë veprimin që do të bëjmë. Ndaj i bëjmë një apel zotit kryeministër që reago një orë e më parë", tha Dautaj.
Më tej, Sokol Dautaj ka shprehur habinë e tij për mosreagimin e Avokatit të Popullit.
Sipas tij edhe Presidenti dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, duhet të vijnë pranë naftëtarëve që janë në grevën e urisë, pasi duhet të ndjejnë një farë përgjegjësie për qytetarët.
"Situata është shumë e vështirë, të gjithë naftëtarët janë futur në një stres pafund. Nuk kemi nevojë ne të shohim debatet në emisionet televizive, sepse edhe ata ndiqen këtu përmes telefonit, ata na stresojnë më shumë. dalin analistë nëpër studio dhe thonë jo të hapet, por të mbyllet. Nuk flet dot askush përpara institucioneve përkatëse. Po më habit edhe diçka, që nga Avokati i Popullit, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, le të vijnë këtu të gjithë. Kur mazhoranca nuk reagon, kur instancat e duhura nuk reagojnë le të vijnë këtu. A ndiejnë njëfarë përgjegjësie për këta qytetarë, për këta naftëtarë?" u shpreh Dautaj/Shqiptarja.