Manifestimi për shënimin e Ditës së Boshnjakëve të shtunën nuk i ka bërë bashkë të gjitha subjektet politike nga radhët e këtij komuniteti. Krerët e NDS-së kanë kremtuar bashkë me zyrtarët e lartë qeveritarë, me diplomatët e huaj dhe me mysafirë të tjerë, me ç’rast kryeministri Kurti ka theksuar se komuniteti boshnjak është pjesë përbërëse dhe e pandarë e shoqërisë së Kosovës. Por janë cekur edhe telashet që e preokupojnë këtë komunitet.
Dita memoriale e boshnjakëve të Kosovës është shënuar të shtunën në Qendrën Kulturore Boshnjake në Prizren, pa praninë e të gjithë spektrit politik të këtij komuniteti.
Megjithëkëtë, roli i komunitetit boshnjak në shoqërinë e Kosovës është vlerësuar si i rëndësishëm, që mund të shërbejë edhe si urë për bashkëpunim dhe njohje nga Bosnjë-Hercegovina.
Në të njëjtën kohë janë përmendur edhe sfidat me të cilat përballet ky komunitet e që presin zgjidhje prej vitesh.
Zëvendëskryeministrja për çështje të komuniteteve dhe kryetare e NDS-së, Emilija Rexhepi, duke kritikuar mospraninë e subjekteve të tjera politike boshnjake, ka thënë se shënimi i Ditës së Boshnjakëve është caktuar për të shtunën shkaku i agjendës së kryeministrit Albin Kurti. Para të pranishmëve ka numëruar edhe sfidat aktuale me të cilat përballet ky komunitet.
“Ato janë: papunësia e madhe, varfëria, mosinvestimet kapitale në sferën e bujqësisë, ende është i pranishëm ky fenomen, 20 vjet, problemet në sistemin arsimor, por me ministren tonë Nagavci kemi zgjidhur mjaft sosh”, ka thënë Rexhepi.
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se komuniteti boshnjak është pjesë përbërëse dhe e pandarë e shoqërisë së Kosovës, si dhe urë lidhëse mes Kosovës dhe Bosnjës, si për heqjen e regjimit të vizave, ashtu edhe për njohjen e pavarësisë. Sa u përket sfidave, ai ka shtuar se ato janë të përbashkëta.
“Në thelb, ne bashkë ndajmë problemet e përditshmërisë, drojën për mirëqenien brenda familjeve tona dhe dëshirën për të mirën. Ajo për të cilën duhet akoma të angazhohemi të gjithë është kontributi për komunitetin në të gjitha pikëpamjet”, ka thënë Kurti.
Ndërsa profesori Fehim Huskoviq, duke sjellë përshëndetjet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Bosnjës, ka pohuar se në rast nevoje ky institucion do të ofrojë udhëzime për boshnjakët e Kosovës, në mënyrë që të forcohet bashkëjetesa në Kosovë, teksa Qendrën Kulturore Boshnjake e ka cilësuar si tempull të artit ku duhet të tubohen boshnjakët nga të gjitha anët.
“Kjo qendër ka për detyrë që të mbledhë të gjithë boshnjakët nga tërë bota dhe ju e dini se boshnjakët janë mbi 10 milionë”, ka thënë Huskoviq.
Dita memorialë e boshnjakëve të Kosovës shënohet më 28 shtator. Subjektet e tjera boshnjake kanë paralajmëruar mbajtjen e akademisë solemne për nder të kësaj dite gjatë javës së ardhshme.