Ndërsa bisedimet për një armëpushim në Ukrainë po vazhdojnë, edhe debati mbi dislokimin e trupave evropiane ka marrë intensitet. Nëse vendet aleate të NATO-s vendosin trupa në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje, kjo mund të hapë diskutime edhe për praninë e tyre në Ballkan, përfshirë Kosovën. Këtë mundësi e ka përmendur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tek ka komentuar riaranzhimet ushtarake të aleatëve perëndimorë
Dislokimi i trupave evropiane aleate të NATO-s në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje mund të shkaktojë një efekt domino, duke vënë në diskutim praninë e forcave perëndimore në Ballkan, përfshirë Kosovën.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 11 mars u ka bërë thirrje shefave ushtarakë evropianë dhe të NATO-s që të hartojnë një plan “për garancitë e besueshme të sigurisë” për Ukrainën në rast të një armëpushimi.
Të njëjtën ditë në Kosovë ka qëndruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili është pyetur nëse dërgimi i trupave në Ukrainë do të ndikonte në përkushtimin e aleatëve në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
“Ju duhet një marrëveshje paqeje, ju duhet më pasë misionin e garancisë së sigurisë siç po projektohet në këtë moment nga francezët dhe britanikët që po drejtojnë atë debat. Dhe më pas duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por deri atëherë do të kemi kaluar tre hapa dhe nuk dua të hyj në të gjitha ato me çfarë-nëse”, ka thënë Rutte të martën.
Ai ka shtuar se ky diskutim do të vihet në rend dite pasi të arrihet armëpushimi apo marrëveshja për të cilën janë duke punuar Shtetet e Bashkuara (SHBA).
“Nuk kam asnjë informacion tjetër përveç asaj që lexova në faqen e internetit të BBC, edhe për përfshirjen e mundshme të Australisë. Pra, këto vende po dialogojnë se si mund të duket një mision garancie për sigurinë. Por përsëri është një fazë shumë e hershme, sepse së pari ju duhet një marrëveshje paqeje ose një armëpushim përpara se të fillohet të ruhet ajo (Ukraina)”, ka potencuar Rutte.
Megjithëkëtë Rutte ka thënë se Aleanca Veriatlantike është e gatshme që t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë, tek ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të demonstrojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromise në dialog.
Presidenti francez Macron i është bashkuar kryeministrit britanik, Keir Starmer, për t’i drejtuar përpjekjet drejt një koalicioni që do ta zbatonte armëpushimin eventual në Ukrainë, e cili është duke u ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Macron, i cili e ka shtyrë industrinë e mbrojtjes të kalojë në “modalitetin e ekonomisë së luftës”, do të takohet të premten edhe me prodhuesit e armëve, ka raportuar gazeta franceze, “Le Monde”.
Macron ka thënë se çdo trupë evropiane në Ukrainë do të vendoset vetëm “pasi të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, për të garantuar respektimin e plotë të saj”.
Pesë fuqitë kryesore ushtarake të Evropës – Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Polonia – janë duke zhvilluar negociata për fuqizimin e kapaciteteve të sigurisë si dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Javën e shkuar shefja e Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, ka zbardhur një plan prej rreth 800 miliardë eurosh për mbrojtjen e Evropës dhe për ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Krahas Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka qenë në bisedime me Parisin prej disa javësh, edhe Suedia, Belgjika, Danimarka dhe Australia kanë treguar gatishmërinë për t’u përfshirë në këtë proces. Sipas zyrtarëve të Mbretërisë së Bashkuar, rreth 20 vende janë të interesuara që t'i bashkohen një koalicioni për të mbështetur Ukrainën.
E Shtetet e Bashkuara kanë bërë të qartë prej kohësh se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ashtu nuk ka treguar nëse Washingtoni zyrtar do të garantonte një dislokim të trupave të udhëhequra nga Evropa. Turqia, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO pas Shteteve të Bashkuara, ka kërkuar që të përfshihet në sigurinë e Evropës pas paralajmërimeve për mundësinë e largimit të SHBA-së nga rajoni.
Në fund të janarit presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se shtetit të tij i nevojiten të paktën 200 mijë trupa për t'i dhënë Kievit garanci serioze sigurie. Aktualisht 20 për qind e territorit ukrainas mbetet nën pushtimin rus, me vijën e frontit që shtrihet mbi 1.000 kilometra.