Arbëri

Debati për vërshimet në Podujevë përshkallëzon në fyerje e akuza personale

Diskutimi për vërshimet në Komunën e Podujevës ka kaluar në fyerje e akuza personale ndërmjet pushtetit dhe partisë opozitare, LDK. Ata kanë akuzuar njëri-tjetrin për keqmenaxhim e keqplanifikim, por i kanë përdorur edhe epitetet dështakë e të padijshëm. Gjatë këtij këtij debati zyrtarët komunalë kanë thënë se dëmet infrastrukturore janë rreth 2 milionë euro, ato në ekonomi familjare mbi 400 mijë euro, kurse për biznese ende nuk është bërë vlerësimi i dëmeve

Në fyerje e akuza personale ka përshkallëzuar debati në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur për të diskutuar për vërshimet në Komunën e Podujevës. Kuvendarët e LDK-së dhe zyrtarët komunalë e kanë akuzuar njëri-tjetrin për keqplanifikim, keqmenaxhim, por janë quajtur edhe dështakë e të padijshëm.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se vërshimet kanë ndodhur vazhdimisht, ndërsa ata janë në pushtet vetëm qe dy vjet.

“Nëse ky takim i sotit emergjent është thirrë për me folë ‘hajt pak’, ne edhe mund ta vazhdojmë këtë diskutim. Unë veç kur po e shoh titullin, kërkesa me çfarë titulli keni thirrur takim të jashtëzakonshëm. Veç lexojeni me vëmendje, nuk e di nëse keni ndonjë gjuhëtar brenda grupit, por merreni e shikojeni si e keni titullua diskutimin e sotit. Nuk është problem, kjo është e juaja, unë besoj që edhe qytetarët e shohin edhe e vlerësojnë”, ka thënë Shpejtim Bulliqi. “Nëse u thirr një seancë, se e di që është mbet një seancë mangu, veç me u kompensua si seancë, nuk është problem, prapë edhe këto le t’i vlerësojë dikush tjetër. Nëse thoni se nuk është menaxhuar mirë kjo situatë, e keni shumë gabim, sepse kemi dhënë shumë fakte dhe shumë shembuj që situata është menaxhuar mirë”.

Kryetari i Komunës së Podujevës ka kërkuar nga këshilltarët komunalë që të mos bëjnë politikë me vërshimet.

“Janë ba dëme goxha shumë, edhe në ekonomi familjare, edhe në rrugë, edhe në biznese, edhe në bujqësi. Shyqyr Zotit s’kemi pasë dëme në njerëz, kjo është parësore. Shpenzime ka, por kësi fatkeqësish natyrore duhet me kanë të përgatitur se kanë me ndodhë ma shpesh. Janë evidente gjithkah, prandaj janë edhe te ne. Është e vërtetë që në një lokalitet tri herë kemi intervenuar në rrugë. Na thanë keq, po na nuk e kemi shtrua atë rrugë, është shtrua qe sa vite. Nëse u bë keq, është bë shumë më herët, nuk është bë tash”, është shprehur Shpejtim Bulliqi. “Dhe mos harroni qe dy vjet e kemi nisë na. Dy vite i kemi. Qe dy vjet e kemi nisë na. Dy vjet e kemi nisë këtë punë. Unë i kam ato shtesë, por atë po ju mbaj fjalim juve që s’i dini se i kam shtesë këto. O s’i dini ju, po ti i vogël je shumë, shumë i ri. Ti s’di kurgjë hiç, ti veç llopat qaty pa lidhje. Kurrgjë s’di ti hiç. Ti s’di kurgjë hiç. Absolut ti kurgjë s’di. Ti kurgjë s’di. Ti je shumë i padijshëm”, i është drejtur Bulliqi këshilltarit të LDK-së Qëndrim Softolli, i cili i ndërhynte gjatë fjalimit të tij. “Ti as s’di kurgjë për arsim, as s’di kurgjë për infrastruktrutë, as bash kurgjë s’di hiç. Këtë punë po ta kallxoj troç. Jam kursye shumë herë mos me ta thanë, po ti je kah e mendon me ta thanë këtë. Ti duhet me u ulë me i mësu shumë gjëra, se je shumë i ri. Nuk di kurgjë, ti krejt këto çka i flet i ke t’nime. Unë për që jam dështak e kam marrë besimin qytetar, i kam marrë 20 mijë vota. Për atë nuk ta kanë dhanë ty. Me folë për defekte, me folë për dështime, me folë për arsim, me folë për ekonomi një individ që s’ka haber hiç për këto sene është kijamet me dëgjua”.

Ndërsa, këshilltari Softolli ka thënë se kryetari mund të jetë nën ndikimin e alkoolit, prandaj, sipas tij, nuk i shihet për të madhe.

“Është për keqardhje kush po i udhëheq qytetarët e Podujevës, me çfarë niveli të debatit referohesh në Kuvend. Është për keqardhje. Por le të shohin. Të njohin. Fol kur del në foltore. Gjeografi me dalë me më mbajt ders për ekonomi e për shëndetësi, e për arsim. Ti veç gjeograf je bre. Na pate mbyt me atëfarë atllasi t’u ngajt kufinave. I ke marrë 100 mijë euro. Ti je shkaktari kryesor i gjendjes në arsim në Podujevë, për 20 vjet e ke shkatrrua”, ka thënë Softolli.

Përveç këtyre akuzave, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Mjedis, Bahri Selimi, e ka akuzuar këshilltarin Softolli se familja e tij e ka penguar projektin e ujësjellësit në shkollën e fshatit Ballofc dhe disa familjeve.

“20 mijë euro zgjerim të rrjetit të ujësjellësit i ka kushtuar Komunës për shkak të pengesave të familjes Softolli në Ballofc. Është planifikua të bëhet rrjet i ujësjellësit për shkollën dhe një lagje që ka qenë pa ujësjellës edhe është bërë pengesë për me u lidhë në rrjetin kryesor që është bë ma herët. Edhe na jemi obligua që për mos me ba punën më të madhe edhe për mos me intervenua me grushtin e shtetit në këtë rast, jemi detyrua me zgjatë atë ujësjellës deri te rruga kryesore e Shajkofcit, që i ka kushtua Komunsë 20 mijë euro”, ka thënë Bahri Selimi.

Por, këtë e ka mohuar Softolli dhe, sipas tij, ujësjellësin në shkollë e ka financuar familja e tij.

“E pavërtetë dhe mirë që dole publikisht. Shkolla ka ujë së paku qe 15 vjet ose 20 vjet. Qat ujësjellës të shkollës e ka pagua qajo familje Softolli privatisht. Tash po të tregoj drejt, e di edhe ti këtë sen. Kush të ka rrejtë nuk e di, po edhe ti rrejte në foltore të Kuvendit. Po të zotohem nëse nuk del kështu unë dha dorëheqje prej pozitës së asamblistit”, ka thënë ai.

E këshilltari Naim Çunaku (LDK) ka thënë se duhet të kenë një plan për menaxhimin e vërshimeve.

“Ky nuk është problem i sotit. Kanë ndërrua pushtetet, por problemi ka mbetë i njëjtë edhe pse kish dashtë që çdo fazë të mëtutjeshme të pushtetit, të paktën të ketë parasysh dhe të bëhet diçka në atë drejtim që të hiqet prej shqetësimit gjegjësisht të mos kemi dëmtime nga vërshimet”, ka thënë Çunaku.

Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, ka folur edhe për dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet. Sipas tij, këto dëme janë kryesisht në infrastrukzruë, ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi.

“Janë mbi 80 vende ku ne kemi intervenuar deri tash me kodin emergjent për 27 ditë. Nga ekonomitë familjare kemi pranuar kërkesa gjithsej 145. Gjithsecila prej tyre është vizituar. Dhe komisioni pasi që i ka bërë vizitat e ka bërë identifikimin e dëmeve që janë bërë në ekonomitë familjare ka ardhur në një raport përfundimtar ku kap vlerën 424 mijë e 215 euro. Përveç ekonomive familjare i kemi edhe disa biznese që janë të dëmtuara e që bizneset dëmi parashihet të jetë edhe më i madh”, ka theksuar Bahri Selimi. “Dëmet infrastrukturore të cilat janë që doemos duhet të intervenojmë kapin shumën afërsisht 2 milionë euro”.