Formula aktuale e financimit të universiteteve publike nuk siguron shpërndarje të njëjtë të buxhetit. Një raport i publikuar të mërkurën tregon se përderisa një universiteti iu ndanë më shumë se 6 mijë euro për kokë studenti, një tjetri diku 7 fish më pak
Universiteti i Gjakovës kryeson listën e universiteteve publike me buxhetin më të lartë për kokë studenti, me mbi 6 mijë euro, tregojnë raportet e “Higher Education Intervention 2025”.
Në vend të dytë ndodhet Universiteti i Mitrovicës me më shumë se 2 mijë euro për student, ndërsa Universiteti i Prizrenit renditet i fundit me buxhet prej diçka më shumë se 900 eurosh për kokë studenti.
Rron Gjinovci, drejtor i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, theksoi se 62 për qind e buxhetit të universiteteve publike në Kosovë shpenzohet për paga dhe mëditje, e vetëm 18 për qind alokohet për shpenzime kapitale. Ai shtroi nevojën për ndryshimin e formulës së financimit të universiteteve.
“Duhet me ekzistu një mënyrë transparente e asaj se qysh financohen universitetet publike në Kosovë. Pra duhet me ekzistu një formulë që e ka një logjikë mbrapa që lidhet me numrin e studentëve, që lidhet me numrin e programeve të akredituara”, ka thënë Gjinovci.
Një tjetër problem i ngritur në raport është numri i paktë i publikimeve shkencore nga universitetet publike në Kosovë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se profesorët përballen me kufizime teknike, duke qenë të detyruar të publikojnë nën emrin e Serbisë për të siguruar botime në platformën ndërkombëtare “Scopus”.
“Ne i kemi parë edhe nëpër media ku akuzohen profesorët se pse po publikojnë me shtetin Serbi, për arsye se është e vetmja mundësi nëse dëshiron të publikosh në Scopus të shkruajë Serbia. Jo që profesorët tanë kanë zgjedhur me dëshirë, por nuk kanë pasur alternativë”, ka thënë Hajrullahu.
E Artan Dermaku, rektor i Universitetit të Gjilanit, foli për sfidat e universiteteve publike që lidhen me hulumtimet shkencore.
“Për të pasur rangim të mirë dhe arritje të lartë duhet të ketë mjete financiare, pika e parë. E dyta, duhet të ketë mësimdhënës të kualifikuar, me të vërtetë të kualifikuar, që unë mendoj që të gjithë së bashku, shteti dhe shoqëritë civile, do të kishte qenë mirë ta bënin një lloj validitmi të mësimdhënësve që veçse kanë filluar një kohë pastaj janë ndërprerë... Dhe e treta, kuptohet, duhet të jenë vendi dhe hapësirat ku punojnë”, ka thënë Dermaku.
Raporti që u publikua tregon se dallimi i pagave mes kategorive të stafit akademik ka shënuar rënie, nga 924 euro në vitin 2020 në 169 euro në vitin 2023.