Pavarësisht se regjistrimi i fundit i popullsisë ka treguar që shumica e banorëve në Komunën e Graçanicës janë shqiptarë, rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë nxjerrë një peizazh ndryshe. Mbi 82 për qind e votave në këtë komunë u shkuan partive serbe, ndërsa subjektet shqiptare morën vetëm një përqindje të vogël të votave. Sipas njohësve të politikave lokale, kjo komunë ka krijuar vështirësi në regjistrimin e shqiptarëve. Porse këtë e mohuan zyrtarët e Komunës
Janë ngritur dyshime se politikat e ndjekura ndër vite nga Komuna e Graçanicës kanë ndikuar të shpërfaqen mospërputhje mes numrit real dhe atij zyrtar të banorëve.
Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se aty janë 18 mijë e 486 banorë rezidentë, 8 mijë e 623 prej të cilëve shqiptarë e 8 mijë e 560 serbë.
Por realitet krejt tjetër është në listat zgjedhore.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, 8 mijë e 300 vota u shkuan partive serbe teksa atyre shqiptare, 1 mijë e 187. E të drejtë vote në komunën e Graçanicës patën mbi 22 mijë e 819 qytetarë.
Neni 8 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se lista e votuesve merret nga Regjistri Civil, e jo nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë. E, në regjistrin civil, si qytetarë të Graçanicës figurojnë 26 mijë e 700 banorë.
Bekim Salihu, hulumtues i politikave lokale në Institutin GAP, thotë se në këtë komunë ka ekzistuar prej vitesh një politikë e heshtur për ta kufizuar rritjen demografike të shqiptarëve.
“Komuna e Graçanicës një kohë e ka sabotuar, po e them kushtimisht, çështjen e lejeve të ndërtimit, veçmas kur e ka kuptuar që ndërtuesit janë shqiptarë dhe përgjithësisht ka hezituar t’i regjistrojë banorët e komunës së vet, si banorë të asaj komune por i ka njohur më shumë si banorë të përkohshëm me disa terminologji, të cilat nuk kanë qenë as të ligjshme e as të logjikshme”, ka thënë Salihu.
E zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, thotë se nga 80 qytetarë shqiptarë të Komunës së Graçanicës është pranuar ankesë rreth vështirësisë për t’u pajisur me leje ndërtimore.
“Ankesa e dytë kishte të bënte me lëshimin e lejeve ndërtimore nga Komuna e Graçanicës, duke mos iu mundësuar atyre që të mos gëzojnë ato të drejta pronësore të garantuara me ligj”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas Salihut, frika nga ndryshimi i balancës etnike pati ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e regjistrimit dhe të lejeve të ndërtimit në këtë komunë.
“Duket që nuk ka qenë e rastësishme, duket që nuk ka qenë e rastit ajo çfarë ka ngjarë në Graçanicë për shumë vite. Pra, ka pasur një vullnet politik ose një frikë nga ana e politikës zyrtare në atë komunë që regjistrimi i shqiptarëve do ta ndryshonte konfiguracionin etnik të komunës, e për rrjedhojë do e ndryshonte edhe konfiguracionin politik”, ka shtuar Salihu.
E në Komunën e Graçanicës mohuan se ka pengesa të këtyre natyrave.
“Në territorin e Komunës së Graçanicës, regjistrimi i qytetarëve në regjistrin qendror kryhet në mënyrë të zakonshme dhe pa asnjë problem, për sa kohë që palët kanë dokumentacionin e rregullt”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.
Graçanica e mori statusin e komunës në vitin 2010, gjatë atij që njihej si procesi i decentralizimit. Ajo u formua duke i shkëputur territor Komunës së Prishtinës, Lipjanit dhe Fushë-Kosovës.