Bartja e uniformës vlerësohet si një nga elementet kryesore për rritjen e sigurisë nëpër shkolla. Por në atë “Faik Konica” në Prishtinë, disa nxënës kanë mbetur pa u pajisur me veshje shkollore shkaku se kompania e kontraktuar për këtë nuk ka mundur ta bëjë furnizimin me masat e tyre trupore. E për disa të tjerë, mungesa e materialit ka ndikuar që prej më se dy muajsh të mos i kenë këto pajisje
Që nga fillimi i vitit shkollor, disa nxënës të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë kanë mbetur pa u pajisur me uniformë.
Sipas tyre, kompania “Uni-Modus”, me të cilën Këshilli Drejtues i shkollës nënshkroi kontratë për furnizim me uniforma, nuk ka arritur t’ua sigurojë pajisjet për masën e tij trupore.
“Unë nuk kam pasur prej fillimit të këtij viti shkollor të klasës së nëntë. Uniforma e vitit të fundit të klasës së tetë nuk më bën se jam rrit pak, edhe kemi tentuar me ble uniformën e re, mirëpo unë jam pak ma i madh se fëmijët e tjerë dhe s’ka pasur numër fatkeqësisht për mu”, ka thënë një nxënës i kësaj shkolle.
Në përgjithësi kanë mbetur rreth 30 nxënës, të cilëve veshjet shkollore u janë dëmtuar apo u kanë humbur.
Për këtë çështje, zëvendësdrejtoresha e shkollës, Kosovare Leci, thotë se e ka kontaktuar kompaninë dhe i ka caktuar ultimatum që furnizimin ta bëjë brenda dy javësh.
“Kemi vërejtje dhe ankesa edhe ne si shkollë nga ana e prindërve, por gjithmonë të mirëkuptueshme, por na kanë treguar se nuk ka as prodhim. Kemi kontraktuar edhe kompaninë me të cilën e kemi kontratën, e kemi bërë përmes Këshillit të Prindërve, mirëpo ata na kanë lajmëruar që kanë një djegie të fabrikës dhe për momentin nuk ka prodhim. Po ashtu i kemi thënë nëse një javë apo dy më së shumti nëse nuk fillon me prodhimin e tyre duhet ta ndërpresim kontratën”, ka thënë Leci.
I kontaktuar nga KOHA, menaxheri i kompanisë, Sued Ibrahimi, ka thënë se vonesat u shkaktuan nga zjarri që e përfshiu një pjesë të fabrikës në Turqi, prej ku bëhet furnizimi. Ai tha se furnizimi do të bëhet javën e ardhshme teksa për ankesat mbi mosofrimin e uniformave në masë të duhur, theksoi se disa palë janë të gatshme, por që, sipas tij, prindërit nuk janë paraqitur për t’i marrë.
Veshja e uniformave nëpër shkolla është pjesë e Planit të Veprimit për Siguri në Shkolla i viteve 2023-2026, përpiluar nga Komuna e Prishtinës.
Furnizimi i nxënësve me uniforma vlerësohet si një nga tetë veprimet kryesore në Planin e Veprimit për parandalimin e dukurive negative, për vetëdijesim dhe për ngritje të kapaciteteve në shkolla.
Zëvendësdrejtoresha e shkollës thotë se bartja e uniformave ndihmon në rritjen e sigurisë në këtë institucion arsimor.
“Uniforma është shumë e rëndësishme për shkollë, se ajo e shton sigurinë në shkollë. Çdokush që hyn nëse e ka uniformën, do të thotë është nxënës i shkollës sonë, nëse nuk e ka, duhet me pa se kush është ai, pse ka ardhur”, ka thënë Leci.
Megjithëqë furnizimi me uniforma parashihet në planin për rritje të sigurisë, kostoja e saj mbulohet nga prindërit. Kontratat për furnizim me uniforma nënshkruhet mes institucionit arsimor dhe kompanisë që përzgjidhet nga Këshilli i Prindërve të shkollës.