Është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për disa lagje në qendrën e qytetit në Gjilan meqë është dëmtuar gypi kryesor i ujësjellësit.
Kompania private e ndërtimit, e cila është duke zhvilluar punimet për zgjerimin e rrugës në qendrën e qytetit, gjatë punimeve ka prekur gypin kryesor të ujësjellësit duke e dëmtuar atë.
Ekipet e kompanisë regjionale të ujësjellësit “Hidromorava” janë duke punuar në sanimin e dëmit.
Drejtori për punë teknike në këtë kompani, Mumin Morina deklaron se ata kanë zhvilluar biseda edhe me komunën e Gjilanit dhe se janë pajtuar që gypi i cili është i dëmtuar të zëvendësohet me një gyp të ri dhe në këtë mënyrë të përmbyllen edhe punimet në infrastrukturë në qendrën e qytetit.
Ai thotë se investimi është urgjent dhe kap vlerën rreth 10 mijë euro gjersa gjatësia e gypit të vjetër është 200 metra.
“Jemi duke biseduar me komunën për ndërrimin e gypit të azbestit që është një veprim urgjent. Rruga është duke u rregulluar aty dhe nuk duhet të lëmë gypin e vjetër aty. Jemi duke punuar për riparimin e defektit ndërkaq qysh nesër do të ndërmarrim hapa për ndërrimin e gypit të ujësjellësit, ashtu siç u pajtuam me komunën sot gjatë bisedave që kemi pasur. Ekipet tona kanë punuar deri vonë dhe këtë punë do të vazhdojmë edhe nesër. Në qendër shumica e gypave janë material i ri dhe i kemi larguar gypat e azbestit. Tash do të ndërrojmë edhe këtë gyp” ka thënë ai.
Drejtuesit e kompanisë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për këtë ndërprerje të furnizimit por sipas tyre ata janë duke punuar në sanimin e defektit në gypin primar dhe do të rikthehet edhe furnizimi me ujë.