Që prej nisjes së Ramazanit, disa gjimnaze kanë shkurtuar orarin mësimor të ndërresës së pasdites për t’iu përshtatur kohës së iftarit. Përderisa disa drejtorë komunalë të arsimit e përkrahën veprimin, disa të tjerë e kundërshtuan. Në Këshillin e Prindërve shprehën shqetësim, e në Ministrinë e Arsimit nuk treguan nëse janë në dijeni për çështjen
Ka dy javë që nxënësit në disa gjimnaze, procesin mësimor po e zhvillojnë me orar të shkurtuar.
Në atë “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, disa nxënës thanë nën kushte anonimiteti se menaxhmenti i shkollës i njoftoi që ndryshimi i orarit është bërë për t’iu përshtatur muajit të Ramazanit.
“Ne zakonisht e mbajmë orën 40 minuta. Prej fillimit të Ramazanit e mbajmë orën 35 minuta, për shkak të ndërrimit të pasdites. Zakonisht ndodh në çdo Ramazan, për arsye se ndërrimi i pasdites nuk mund të mbërrijë për iftar se nuk ka udhëtim”, ka thënë një nga nxënësit e kësaj shkolle.
E, Naim Raçi, drejtor i gjimnazit, nuk e pranoi ekipin e KOHËS për të biseduar lidhur me çështjen.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, tha të mos jetë i njoftuar për këtë.
“Ne jemi që pa marrë parasysh a është kohë e Ramazanit apo pas Ramazanit, orari duhet të jetë orar, se duhet të shpjegohen njësitë mësimore dhe të arrihen rezultatet”, ka thënë Fetahu. “Do të bëjmë inspektim edhe te shkollat e mesme, por edhe në ndonjë shkollë tjetër që ka mundur të marrë një vendim të tillë”.
Me orar të shkurtuar në disa orë mësimore thanë të jenë edhe nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë.
Drejtori Haxhi Metaj, tha se shkolla e ndryshoi orarin e mësimit, porse jo kohëzgjatjen e orëve.
“Kërkesa natyrisht që ka qenë nga Këshilli i nxënësve, edhe i prindërve, për shkak se ne kemi filluar me orar në ora 13:30. Prej tash e tutje ne fillojmë prej orës 13:00, pasi ishte mundësi ta bëjmë mes dy ndërrimeve me u fuzionu, si dhe 30 minuta që i kemi të pushimit të gjatë, i kemi heqë 10 minuta dhe tash i kemi vetëm 20 minuta”, ka thënë drejtori Metaj.
E në Lipjan, drejtori i Arsimit, Rasim Hasani, tha se shkurtimi i orarit në gjimnazin “Ulpiana” është bërë shkaku që shumica e nxënësve e praktikojnë agjërimin.
“Mendoj që shkolla në këtë rast që e përmende e ka bërë zgjidhjen më të mirë dhe ligjet nuk duhet t’i trajtojmë nën ngurtësinë e tyre. Besoj që duhet t’i shohim ligjet në të mirën e përgjithshme. Në këtë rast, drejtoria nuk i obligon nxënësit të agjërojnë, mirëpo ata vijnë në shkollë ashtu”, ka konfirmuar Hasani. “Nëse i lexojmë ligjet strikt, ne i detyrojmë ata fëmijë të ushqehen në klasë, ku kanë frekuentuar dhjetëra qindra nxënës gjatë ditës, e për pasojë mund të kenë mikrobe të ndryshme”.
Por në Këshillin e Prindërve e panë me shqetësim shkurtimin e orëve gjatë Ramazanit, tek thanë se praktikimi i agjërimit i penalizon nxënësit në mësimnxënie.
“Nxënësit të cilët agjërojnë, edhe nëse munden fizikisht ta përballojnë agjërimin, në aspektin psikik nuk mund të jenë në gjendje të nxënies së dijes dhe absorbimit të shpjegimit në shkollë! Prandaj, bëjmë thirrje te institucionet që të marrin masa ndaj atyre që nuk përfillin ligjin për procesin arsimor, dhe lusim prindërit që mos t’i stimulojnë fëmijët e tyre për agjërim”, ka thënë Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve.
Në Ministrinë e Arsimit nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse janë në dijeni të veprimit dhe nëse ai është në kundërshtim me Kushtetutën e Ligjet në fuqi.
Neni i tetë i Kushtetutës thotë se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. E Ligji për Arsimin Parauniversitar parasheh që institucionet publike arsimore të përmbahen nga mësimdhënia fetare apo veprimtaritë e tjera që e propagandojnë një fe të caktuar.