Mbi 100 mijë euro ka ndarë Komuna e Obiliqit për të përballuar situatën me koronavirus, në të cilën deri tash është shënuar vetëm një rast.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare thonë se me kohë janë furnizuar me pajisjet mbrojtëse dhe mjekësore.
Disa familje në këtë komunë si masë preventive tashmë janë vetizoluar, transmeton KOHA.
Komuna me shtabin emergjent kanë shpërndarë pako ushqimore për familjet që janë me asistencë sociale.
Ndonëse gjatë ditës lëvizjet e qytetarëve nuk kanë munguar në Obiliq, kryetari Xhafer Gashi thotë se masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit po zbatohen.
Personi i parë në këtë komunë që kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 është shëruar.
KTV-ja mëson se i njëjti është absolvent i Fakultetit të Mjekësisë dhe tani është paraqitur vullnetar në Klinikën Infektive në QKUK.