Arbëri

Disa biznese në Lipjan kundër që të ndalohet puna të dielave dhe gjatë festave

Komuna e Lipjanit ka nisur të zbatojë rregulloren e re për bizneset që rregullon orarin e tyre të punës dhe të pushimit. Por pas shumë ankesave, zyrtarët komunalë, në një takim që zhvilluan të enjten me përfaqësues të bizneseve, u zotuan se do ta shfuqizojnë atë deri në shtator

Përfaqësues të bizneseve në Lipjan kanë kundërshtuar rregulloren e re komunale, e cila ua ndalon shumicës prej tyre të punojnë të dielave dhe gjatë festave.

Në një takim me zyrtarët komunalë, të enjten, rregullorja, e cila ka nisur të zbatohet, është vlerësuar diskriminuese.

“Kushdo le të punon ose mos të punon ose le të merret ndonjë vendim në nivel nacional që të mbyllet komplet atëherë pajtohemi sepse po dëmtohemi nga rrethina me punë si nga Ferizaj, Shtime , Graçanica e Prishtina pasi që bizneset atje janë të hapura”, ka thënë Skender Kozhani, pronar i një biznesi.

“Është një rregullore jashtëzakonisht e mangët që është në disporpocion të plotë me kërkesat e bizneseve”, ka thënë biznesmeni Ardian Bytyqi.

Zyrtarë në Komunën e Lipjanit thanë se vërejtjet e bizneseve do të merren parasysh.

“Sigurisht që këto kërkesa jemi të obliguar t’i shqyrtojmë dhe t’i trajtojmë bashkë me komisionin i cili ka hartuar këtë rregullore”, tha nënkryetari Diamant Bytyqi.

Përfaqësuesit e komunës u zotuan se rregullorja do të shfuqizohet në mbledhjen e radhës dhe se në shtator, do të bëhet plotësim-ndryshimi i saj.