Arbëri

Disa biznese në Ferizaj shkyçen nga ujësjellësi

Kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj gjatë së martës ka nisur një aksion për shkyçjen e borxhlinjve të mëdhenj që krahas keqpërdorimit të ujit, as nuk i paguajnë faturat e rregullta ndaj kompanisë. Aksioni ka rezultuar me shkyçjen e disa konsumatorëve që nuk u janë përgjigjur kërkesave të kompanisë për pagesa të ujit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj ka nisur aksionin për inspektimin e bizneseve ndërtimore dhe autolarjet që nuk i kryejnë me rregull pagesat, por edhe që e bëjnë keqpërdorimin e ujit nëpërmjet lidhjeve të jashtëligjshme në rrjet.

Zyrtarë të kompanisë gjatë ditës së martë kanë iniciuar disa procesverbale për t’i nxitur bizneset që ta paguajnë ujin e shpenzuar teksa kanë treguar se në disa raste bizneset e autolarjeve kanë hapur edhe puse shkaku i mungesës së ujësjellësit.

Jeton Shabani, drejtor i “Bifurkacionit”, thotë se aksione të tilla ndërmerren çdo vit gjatë sezonit të verës me qëllim të kontrollimit të autolarjeve dhe bizneseve, si rrjedhojë e humbjeve të ujit që i pëson kompania shkaku i keqpërdoruesve.

“Tani jemi në fazën e inspektimit të autolarjeve dhe në fazën e borxhlinjve të mëdhenj, të cilët nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe vërejtjeve që i kemi bërë përmes qendrës së thirrjeve. Kështu që inspektimet vazhdojnë, ndërkaq keqpërdorues kemi, sepse këto humbje të ujit diku po shkojnë, andaj ne si kompani e kemi për detyrë t’i gjejmë ato dhe t’i luftojmë”, ka thënë Shabani.

Ai ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për lajmërimin e keqpërdoruesve të ujit.

“Autolarjet minimum 3 herë gjatë vitit inspektohen, andaj normal që ka keqpërdorues dhe sa herë që kemi hasur në ato keqpërdorime i kemi dënuar sipas ligjeve në fuqi që janë të përcaktuara me rregulloren e autoritetit rregullativ të ujit dhe ata që nuk janë përgjigjur ua kemi dërguar edhe lëndët në gjykatë”, ka theksuar Shabani.

E koordinatori i ekipeve të shkyçjes, Nexhat Shabani, tregoi se aksioni do të vazhdojë.

“Aksioni ka filluar që nga dita e së martës, për firmat e bizneset dhe për autolarjet që kanë borxhe ndaj kompanisë ‘Bifurkacioni’. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me shkyçje derisa konsumatorët nuk u përgjigjen pagesave të faturave të ujit. Ne sugjerojmë të gjithë ata konsumatorë që kanë obligime ndaj kompanisë të përgjigjen më herët për pagesa ose ne do të marrim masa për shkyçje, të cilat i kemi në regjistrin tonë”, ka thënë Shabani.

Përfaqësuesit e bizneseve nuk pranuan që të flasin për KOHËN pas aksioneve të zyrtarëve të kompanisë “Bifurkacioni”.