Arbëri

Disa banorë ankohen se janë bllokuar nga laura e vendosur në lagjen ku banon Behxhet Shala, ky e mohon këtë

Pretendimet e banorëve të shtëpive afër lagjes “Xhevat Qena” se u është mohuar lëvizja e lirë, i ka mohuar Behxhet Shala.

Sipas Shalës, plani i kësaj lagjeje private është po ai që ishte në vitin 2009, kur ishte marrë leja për ndërtimin e saj si lagje e organizuar dhe e mbyllur, raporton KTV.

Ai thotë se banorët e shtëpive afër kanë kaluar ilegalisht përmes pronave private me veturat e tyre.

Derisa për laurën, ai ka bërë të ditur se ajo është tash e 5 vjet, por është funksionalizuar vetëm së fundmi, pas shqetësimeve për sigurinë.

Lidhur me mundësinë që ajo të hiqet nga Komuna e Prishtinës, Shala tha se aktualisht nuk ka legjislacion për këtë, por për më tepër, përsëriti se bëhet fjalë për pronë private.

Shala ka paralajmëruar se pjesët e hapura në fund të lagjes, së shpejti do të rrethohen me tela mbrojtës.