Arbëri

Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës - diplomimi

Foto: Driton Paçarada

448 policë të rinj kanë diplomuar të premten në Prishtinë. Në sallën “1 Tetori” është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit. Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisin këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës. Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.

E, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.

Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala, u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin. Ai u zotua  se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës. / EO