Në ditën e dytë të dëshmisë së ish-shefit të KDOM-it, Shaun Byrnes, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, atij i është shfaqur një video e Hashim Thaçit ku bënte thirrje për t’u ndalur dhuna ndëretnike.
Një fjalim të Hashim Thaçit, të mbajtur në Rahovec, një muaj pas çlirimit të Kosovës, e ka shfaqur të martën avokati i tij Luka Mishetiq në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmi se klienti i tij ka bërë thirrje për ndalje të dhunës ndëretnike.
Në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të martën ka vazhduar dëshminë e tij ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës Diplomatik i Shteteve të Bashkuara (KDOM), Shaun Byrnes. Ai konfirmoi se është në dijeni që Thaçi ka bërë thirrje të tilla për ndalje të dhunës ndëretnike.
“Ne nuk kemi nevojë për qytet etnik. Kemi nevojë që t’i respektojmë të gjithë ata të cilët dëshirojnë të jetojnë në qytet, por si qytetarë të lirë, si qytetarë që respektojnë rregullin, rendin, si qytetarë të cilët nuk mendojnë për konfrontim, si qytetarë të cilët nuk kanë marrë pjesë në masakrat mbi vëllezërit, motrat e prindërit tanë. Ne do t’i respektojmë të gjithë ata që e meritojnë respektin. Por nuk do të lejojmë që askush kriminelët e qytetit të Rahovecit t’i marrë në mbrojtje”, u dëgjua në videon e shfaqur të ketë thënë Hashim Thaçi më 17 korrik 1999 në Rahovec.
Avokati Mishetiq e ka lexuar një kabllogram, të cilin Byrnes pohoi që e ka përgatitur ose rishikuar vetë, ku flitet edhe për një numër të lartë të ushtarëve të forcave të parregullta.
“UÇK-ja vazhdon të rritet efektivisht nga pikëpamja ushtarake. Oficerë të lartë pretendojnë që në rangjet e veta kanë 35 mijë ushtarë, shërbimet e zbulimit serb besojnë se ka 30-35 mijë trupa prej të cilëve besojnë se 8 mijë janë të rregullt”, ka thënë Mishetiq .
E, Byrnes ka thënë që këta ushtarë jo të rregullt megjithatë iu përgjigjeshin komandantëve të zonave.
“Trupat e parregullta ishin vendës, thjesht banorë të zonës që mbronin fshatrat e tyre ose fshatrat ngjitur në rastin më të mirë. Por nuk ishin të organizuar si forcë ushtarake. Për mua si e kuptoja unë, këto forca lokale ishin në zinxhirin komandues të komandantëve të zonës”, ka thënë Byrnes.
Byrnes ka folur edhe për një ndarje që ekzistonte në UÇK mes dy grupeve siç i quajti ai, të moderuar e radikalë. Të moderuarit, sipas Byrnesit, ishin pro Marrëveshjes së Rambujesë, mbështesnin përpjekjet për ta pasur një pozicion unik të shqiptarëve, prandaj ata mbështesnin kontaktet me LDK-në.
Në këtë grup, sipas tij, bënte pjesë edhe i akuzuari në këtë rast, Jakup Krasniqi. Mirëpo ka shtuar se disa komandantë zonash e kundërshtonin marrëveshjen ndërkombëtare. Avokati Mishetiq lexoi një dokument që ka shkruar Byrnes gjatë luftës.
“Krasniqi, Buja, Bashota dhe shefi i Drejtorisë së Operacioneve Ushtarake, që besoj të ketë qenë Zyrapi, e kanë bërë të qartë se problemi kryesor për miratimin e Shtabit të Përgjithshëm të kushteve të Rambujesë është çështja e të ardhmes së UÇK-së. Kundërshtimi që kanë komandantët e zonave, si Remi e Lushtaku, ndaj Rambujesë mbase buron nga fakti se demobilizimi do t’u kushtojë atyre me pushtetin dhe influencën që kanë fituar me aq mund”, ka lexuar Mishetiq një tjetër dokument të shkruar nga Byrnes gjatë luftës.
Pas avokatit të Thaçit, me shtrim të pyetjeve ka vazhduar përfaqësuesi i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dhe ai i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis.
Byrnes ka folur fjalë të mira për Jakup Krasniqin.
“Unë kisha një ndjesi që ai ishte shumë i njerëzishëm, ishte serioz. Ishte vërtet i inatosur për gjithçka që serbët u kishin bërë shqiptarëve, popullit të vet, por në fakt ai ishte njeri që e donte paqen dhe donte që kjo gjë të përfundonte. Gjithashtu, meqë ra fjala, nuk e di a e dini kuptimin e fjalës ‘besa’, ishte e qartë se ai ishte një individ i cili jetonte sipas parimeve të ‘besës’. Këtu e kam fjalën pasi ai ishte njëri nga ata persona që po të na e jepte fjalën që diçka do të ndodhte, do të kryhej, atëherë ne mund të largoheshim me besimin më të plotë të mundshëm që ashtu do bëhej vërtet”, ka thënë Byrnes për Krasniqin.
Byrnes udhëhoqi Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999-s. Ai pati shërbyer edhe në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në periudhën 1980 - 1984. Ai ka shërbyer për 30 vjet në diplomacinë e SHBA-së.
Ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi ku u akuzuan e gjykuan udhëheqës shtetërorë e ushtarakë serbë.
Byrnes ka nisur dëshminë në Speciale të hënën.
Katër të akuzuarit e Speciales: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.