Arbëri

Diplomatët perëndimorë kërkojnë proces transparent deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor

Derisa Komisioni Qendror Zgjedhor ka vijuar me numërimin e votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit, diplomatë të QUINT-it dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian janë vënë në lëvizje. Ata të martën kanë takuar liderë të partive politike, për t’i diskutuar hapat e ardhshëm drejt krijimit të institucioneve, tek kërkuan që proceset e mbetura të kryhen sa më shpejt dhe në mënyrë transparente

Hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve të 9 shkurtit janë diskutuar në takimet e ndara që përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) dhe shteteve të QUINT-it kanë zhvilluar të martën me përfaqësues të institucioneve dhe liderë të partive politike.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka shkruar se qytetarët e Kosovës duan anëtarësimin në BE, për çka Qeveria duhet të punojë për ta realizuar. 

“Zhvilluam takime të veçanta me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn për të diskutuar hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve. Theksova se shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë”, ka shkruar Orav në platformën X. 

Sipas Zyrës së Kryeministrit, veç hapave drejt formimit të qeverisë se re dhe urimit për Kurtin si fitues i zgjedhjeve, me diplomatin e BE-së u diskutua edhe për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Për zhvillimet e fundit në vend, takime ka pasur edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves. 

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se pavarësisht pozicionit politik, interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj mbeten gjithmonë udhëzuesi kryesor.

“Sot, pata kënaqësinë të pres në takim edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vend. Pavarësisht pozicionit politik, për PDK-në, interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj mbeten gjithmonë udhëzuesi ynë kryesor. Vlerësoj përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm të misioneve diplomatike në Kosovë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të zhvilluar për vendin tonë”, ka shkruar Krasniqi. 

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se me Hargreaves ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën euroatlantike të Kosovës, përfshirë Planin aksional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. 

“Me ambasadorin Hargreaves biseduam gjithashtu për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe menaxhimin e këtij procesi, deri në certifikimin e rezultateve. Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vlerësojmë lart përkrahjen e vazhdueshme të Londrës për konsolidimin e shtetit tonë dhe forcimin e demokracisë, si dhe angazhimin e tyre për stabilitetin në rajon”, tha Haradinaj. 

Veç ambasadorit britanik, Haradinaj njoftoi edhe për takimin e zhvilluar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati. 

“Bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Kosovë-SHBA. Theksova qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euroatlantik të Kosovës. Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Ambasadori britanik ka takuar edhe kryesuesin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, të cilin tha se e përgëzoi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe përpjekjet për t’u siguruar që proceset e mbetura të kryhen shpejt dhe në mënyrë transparente. 

“Sot kam takuar Kreshnik Radoniqin, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. E përgëzova për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe për përpjekjet e Komisionit për të siguruar që proceset e mbetura të kryhen shpejt dhe në mënyrë transparente”, ka shkruar ambasadori britanik. 

Konstituimi i organeve të reja shtetërore do të bëhet pas certifikimit të rezultateve. 

Sipas KQZ-së, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri tash ka shkuar në 73 për qind.