Arbëri

Dileri shqiptar i drogës përdor ligjet e të drejtave të njeriut për ta bllokuar dëbimin nga Britania

Bledar Vranarajt iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar në Britani në vitin 1998 pasi pretendoi rrejshëm se ishte refugjat kosovar

Bledar Vranarajt iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar në Britani në vitin 1998 pasi pretendoi rrejshëm se ishte refugjat kosovar

Një diller shqiptar i drogës është në mesin e 27 mijë apeleve rekord nga emigrantët që përdorin ligjet e të drejtave të njeriut për ta bllokuar dëbimin nga Britania e Madhe, shkruan Telegraph.

Bledar Vranaraj, 45 vjeç, u burgos për tetë vjet pasi u kap me shtatë kilogramë kokainë, me vlerë 600 mijë paund. Megjithatë, ka apeluar vendimin për dëbim me arsyetimin se kjo do të shkelte të drejtat e tij për një jetë familjare sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Atij iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar në Britani në vitin 1998 pasi pretendoi rrejshëm se ishte refugjat kosovar. Ai filloi lidhje dashurie në të njëjtin vit me një franceze me të cilën ka dy fëmijë. Asaj iu dha leje e pacaktuar për qëndrim në Britani, ndërsa kjo i ndihmoi edhe Vranarajt – i cili qëndroi në Britani nën pretendimin për ta pasur familjen afër.

Pretendimi i tij, i cili po kundërshtohet nga Zyra e Brendshme britanike, është zvarritur për gati gjashtë vjet pa zgjidhje.

Vranaraj shkoi në Britaninë e Madhe në korrik të vitit 1997 dhe u burgos për tetë vjet në vitin 2015 për drejtimin e një rrjeti droge me shtatë të tjerë në jug-perëndim të Londrës.

Vranaraj u përshkrua se kishte rol “të rëndësishëm” në bandë. Hetuesit gjetën rreth 1 milion paund si dhe një veturë, e cila ishte pajisur me mjete për të transportuar drogë dhe para.

Zyra e Brendshme i dha fund statusit të tij të refugjatit në vitin 2018. Megjithatë, Vranaraj e kundërshtoi dëbimin mbi bazën se ishte shkelje e të drejtave njerëzore dhe ishte “tepër i ashpër” ndaj familjes së tij.

Vranaraj pohoi se ose do të ndahej prej tyre duke u kthyer në Shqipëri ose do t'i zhvendoste në një territor të panjohur.

Gjykata e ulët e imigracionit mbështeti apelin e Vranarajt për mosdëbim. Megjithatë, gjykata e apelit vendosi që kjo duhet të shqyrtohet pas kundërshtimit të Zyrës së Brendshme.

Këshilli i Refugjatëve ka paralajmëruar se apelimet në gjykatë ka të ngjarë të rriten. Në gjashtë muajt deri në mars të vitit 2024, rreth 23 mijë ankesa u pranuan nga gjykata e nivelit të parë, rritje prej 379 për qind në të njëjtën periudhë të një viti më parë.