Arbëri

Digjitalizimi i të dhënave, MSH-ja dështon të zbatojë projektin e nisur para 10 vjetësh në Pejë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në ambulancat e tjera në Komunën e Pejës, pacientët, pavarësisht sa herë kanë qenë për kontroll, kalojnë në sportel çdoherë të njëjtën procedurë të pritjes së plotësimit të të gjitha të dhënave.

Përsëritja e vazhdueshme e të njëjtave procedura po ndodh në mungesë të funksionalizmit të Shërbimit Informativ Shëndetësor, i cili është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky projekt ka nisur para më tepër se dhjet vjetësh dhe deri tash siç thotë drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, në asnjë Komunë nuk ka nisur të zbatohet.

“Një pacient mund të regjistrohet në pesë qendra shëndetësore brenda ditës dhe nuk mirret vesh që ka shkuar në pesë qendra. Kjo është problematika. Sikur të ekzistonte sistemi unik, pacienti i cili do të lajmërohej në qendrën e parë, ai pacient do të regjistrohet në gjitha nivelet mjekësore, qoftë të shëndetit primar por edhe të shërbimeve tjera”, ka thënë Loci.

Funksionalizimi i këtij shërbimi, siç thonë mjekët e shëndetit primar, kishte lehtësuar edhe punën e tyre me pacientë dhe kishte rritur edhe më tepër efikasitetin e trajtimit.

“Faktikisht pacienti që vjen prej rruge, cak edhe këta që i kemi të vendbanimeve tona, ai hyn këtu të unë dhe ti ski kurrfarë të dhënë për sëmundjen, për historikun e sëmundjeve, historikun e problemeve shëndetësore, gjendjen e shëndetit mental të pacientit dhe familjes së tij dhe ti çdo herë duhet me ja nis prej fillimit”, ka deklaruar Adem Eminaj, specialist i mjekësisë familjare.

Për arsyet e zvarritjes me vite të këtij projekti dhe mosfunksionalizimit të Shërbimit Informativ Shëndetësor ashtu siç e parasheh Ligji mbi shëndetësinë, KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje.