Arbëri

Digat, burim jetese apo frike

Digat e ndërtuara rreth 60 vjet më parë janë burimi kryesor i furnizimit me ujë në Kosovë. Por, rreziku nga to krahasohet me atë të centraleve bërthamore. Gjendja e tyre konsiderohet stabile, por ekspertët e ujërave janë kritikë për mirëmbajtjen që u kushtohet nga institucionet. Dhjetori i këtij viti do të jetë muaji që do ta përmbyllë projektin e nisur së fundmi për monitorimin e tyre, pas dy dekadash pa mbikëqyrje

Një liqen mbi kokë për një rajon me ujë. Ky është çmimi që paguajnë banorët e Përlepnicës së Gjilanit, të cilëve në majë të katundit, sipër shtëpive të tyre tash e mbi 50 vjet u qëndron ujëmbledhësi që për dekada siguron ujin e pijshëm për një pjesë të Anamoravës. Por, diga që u ngrit rreth viteve ’70, me qëllim të furnizimit me ujë, shkakton frikë te banorët kur shirat janë të dendur. Për shkak se rajoni është zonë me ndjeshmëri të lartë sizmike, kërcënim për dëmtimin e saj janë edhe tërmetet.

Blerim Mehmeti, banor i këtij fshati, ka qenë i vogël kur nisi të ndërtohej diga. Ende e mban mend se si përgatitej materiali për ngritjen e murit, që do të çante dekada e vetë t’i qëndronte stoik peshës së ujit.

“Unë atëherë kam qenë fëmijë kur ka filluar të ndërtohej kjo dhe e kemi përcjellë, sepse si të rinj, si fëmijë, ne kemi qenë kureshtarë me e pa. Ka qenë një hapësirë bajagi e gjerë kur ka filluar të ndërtohej. Fillimisht është ndërtuar një tunel relativisht i gjatë dhe pastaj ajo është veshur me gurë. Është një ndërtim i natyrshëm, besoj që është edhe i sigurt, por këtë sigurisht inxhinierët e kanë studiuar më mirë”, thotë ai.

Në mendje, pasojat

Digat janë mure që ngrihen në rrjedhën e një lumi ku krijohet një liqen artificial për t’u shfrytëzuar më pas si rezervuar uji. Ato ndërtohen edhe si pengesa për të parandaluar vërshimet. Në Kosovë digat e ndërtuara destinimin e kanë kryesisht për ujë të pijshëm. Liqeni akumulues i Përlepnicës ka sipërfaqe prej 1.6 kilometrash katrorë. Ai ka prurje prej 16.32 metra kub ujë në sekondë. Për shkak të pozitës gjeografike që ka, shkatërrimi i murit të digës do ta zhyste tërësisht në ujë fshatin, që gjendet poshtë saj. Pasojat do të ishin fatale, thotë Mehmeti, i cili megjithatë shton se tashmë janë mësuar të bashkëjetojnë me frikën.

“Të të them pasigurt edhe ndoshta nuk gaboj, por tashmë jemi mësuar dhe jetojmë normalisht. Normalisht jetojmë. E dimë që ka sasi të madhe të ujit... Unë nuk mund të them, me siguri sa milionë litra ose sa mijë litra ujë i ka, por e di që diku regjionin tonë, Gjilanin, bashkë me disa fshatra, diku përreth një viti e furnizon nëse s’ka reshje fare”, thekson ai.

Por, krahas pasigurisë, akumuluesi i ujit u shkakton banorëve edhe shqetësime të tjera. Përroskat e lagështa që dikur nuk dinin të thaheshin, tash janë vetëm lugje që çojnë pluhur. Lumenjtë e hollë janë shterur. Vera merr ngjyrë vetëm rreth liqenit artificial të Përlepnicës. Fshati që ka ujë për tërë Gjilanin është i thatë. Kohët e shkuara, kur rrjedhës së ujit nuk i ishte vendosur muri i lartë, përlepnicasit e nxirrnin mirë me të bukën e gojës.

“Në të kaluarën fshati ynë ka pasur shumë mullinj, shumë ka pasur mullinj, në çdo familje ka pasur mulli. Me bërjen e digës, krejt janë fundosur, janë nën ujin e digës dhe kjo po, kjo na ka varfëruar, po e them kushtimisht. Ngase, secila familje në të kaluarën e ka siguruar mirëqenien e vet edhe përmes kësaj. Mbi digë, ne i themi banja, buron në kohën më të vështirë që nuk ka reshje, rreth 50-60 litra ujë në sekondë e më tepër, tash ndoshta 70-80 litra, në gur buron, me temperaturë të ngrohtë, dhe bashkëvendësit tanë në të kaluarën, në maj, kanë dalë te banja dhe e kanë shfrytëzuar ujin” rrëfen ai. “Kjo ka qenë edhe përparësi e fshatit tonë, sepse uji i ngrohtë ka bërë që uji gjatë dimrit të mos ngrihet dhe të funksionojnë mullinjtë. Gjatë verës ka pasur ujë me bollëk dhe tash kjo na mungon, ngase kanë qenë edhe përroska që kanë kaluar nëpër fshat, dy përroska që e kanë ujitur edhe tokën, bahçet e fshatit, dhe që tash nuk i kemi”.

Frikë nga plasaritja

Pos digës së Përlepnicës, në Kosovë janë edhe pesë diga të tjera të larta, si ato të Ujmanit, Batllavës, Badocit, Radoniqit e Livoçit, e 10 të tjera të ulëta. Pothuajse të gjitha këto diga të larta janë rreth 60 vjet të vjetra. Me gjithë moshën, digat i kanë rezistuar kohës dhe janë në gjendje stabile, thotë Naser Hafizi, drejtor i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministri të Mjedisit.

“Kryesisht të pesë digat e larta dhe e gjashta e Livoçit, sipas raportit, por edhe sipas asaj që tani po bëhen matjet edhe të reshjeve që kanë qenë këtë vit, ku janë mbushur në tërësi të gjitha digat, të japin të kuptosh që e kanë një stabilitet shumë të lartë të qëndrueshmërisë. Ka plasaritje për shembull edhe në këtë digën këtu ku jemi, ka rrjedhje të vogël të ujit, por ato janë të papërfillshme. Edhe në digën e Batllavës është vërejtur te kurora e digës që ka një plasaritje të vogël, edhe te diga e Përlepnicës. Ndërsa sa i përket digës së Radoniqit dhe asaj të Ujmanit, ato janë shumë stabile dhe janë të mirëmbajtura shumë mirë”, thotë Hafizi.

Anash qëndrueshmërisë, Hafizi flet edhe për dëmin që do të shkaktonte jostabiliteti i tyre. Ai thotë se shkatërrimi i një dige do të sillte pasoja të rënda e dëme të pandreqshme.

“Të mos e mendojmë atë opsion, por dëmet janë kolosale. Janë shumë të mëdha, qoftë në njerëz, qoftë në përmbytje të tokave, shtëpive, të gjitha të mirave materiale. Por, ne më së shumti e kemi brengën te humbja e njerëzve. Shpërthimet e digave, kemi statistika të vendeve të ndryshme evropiane dhe botërore ku kanë marrë jetë të mijëra e mijëra njerëzve. Në Kosovë prapë ne kemi alarmuar edhe veten si institucione, por edhe të tjerët si operatorët, që ta sigurojmë, që ta rrisim nivelin e sigurisë së digave, për të mos na ndodhur ato dëme. Mirëpo, dëmet do të ishin të pariparueshme dhe shumë të dhimbshme nëse ndodh shpërthimi i cilësdo digë të Kosovës e të mos flasim për digën e Ujmanit, e cila është me një kapacitet rreth 400 milionë metra kub”, shton ai.

Por, këtë dëm të jashtëzakonshëm e sjell mosmbikëqyrja e digave, thotë eksperti i ujërave, Avdi Gjonbalaj. Mosmirëmbajtja e digave u konstatua të ishte njëra nga shkaqet që shkatërroi dy diga në Libi, një muaj më parë, dhe të cilat morën jetën e afro 20 mijë njerëzve. Të dyja këto diga ishin ndërtuar nga kompani jugosllave, mes viteve 1973-1977, afërsisht në kohën kur janë ndërtuar edhe në Kosovë. Gjonbalaj bën llogaritjet në rast të shkatërrimit të digës me të madhe, asaj të Ujmanit, e cila po ashtu ishte ndërtuar në kohë të Jugosllavisë. Sipas tij, uji do të mbërrinte deri në Vushtrri e nga ai do të pësonin afër 100 mijë banorë.

“Ujmani është më problemi. Nëse diga e Ujmanit shkatërrohet, në kushte kur është akumulimi i plotë dhe kur prurjet në lumin Ibër llogariten njëmijëvjeçare, i kemi llogaritur 400 milionë metra kub në sekondë, atëherë vala vërshuese do të startonte me 38 metra lartësi dhe do të arrihej një shpejtësi prej 3.5 deri në 7 metra në sekondë, prandaj Ujmani është jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse nuk e mirëmbajmë, nëse nuk përkujdesemi dhe nuk jemi në rrjedha gjithmonë me gjendjen e tij. Pra, duhet ta kemi planin se si të veprojmë në situata të tilla” thotë Gjonbalaj.

Ai është kritik ndaj institucioneve, kur flet për mirëmbajtjen e digave.

“Bota i kanë komitetet kombëtare për diga të larta. Është komiteti ndërkombëtar për diga të larta, ku takohen njerëzit, interpretojnë dhe i trajtojnë çështjet profesionale. Mirëpo, ne duhet vetëm të kemi kujdes si të mirëmbahen, si të monitorohen dhe të ndërmarrim hapat që duhet. Në rast se na lajmërohet ndonjë defekt, ne duhet ta kemi skenarin se si duhet të veprojmë. Nëse kemi rrjedhje në trup të digës ose nën të, ne duhet të dimë që, i themi ne kuotat e sigurisë, ta ulim nivelin e digës, duhet ta dimë për sa kohë mund ta ulim, cilat janë ato kuota. Këtu ka një mori çështjesh. Por, këtyre nuk iu qaset askush. Dhe, sa i përket Ministrisë së Mjedisit, ata mund të flasin, të mbajnë fjalime, por për këtë lëmë nuk kanë njohuri elementare”, shprehet Gjonbalaj.

Dobitë e mëdha

Por, nga Ministria thonë se deri në dy vjetët e fundit digat nuk kanë pasur kurrfarë mirëmbajtjeje e as nuk është bërë asnjë intervenim në to.

Drejtori i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministri të Mjedisit, Naser Hafizi, thotë se që nga viti 2021 kanë nisur mbikëqyrjen serioze të tyre dhe janë në përfundim të një projekti për vendosjen e instrumenteve monitoruese në diga e në vendosjen e sistemeve automatike të alarmeve. Pas më shumë se dy dekadash, më së largu në dhjetor të këtij viti, pritet të nisë mbikëqyrja e digave.

“Pjesa kryesore e këtij projekti, monitorimi i digave ekzistuese, veç ka përfunduar. Në të gjitha digat, me përjashtim të digës së Ujmanit, e cila për shkak të specifikave dhe rrethanave në të cilat gjendet, në digat e tjera është vendosur sistemi meteorologjik, sistemi sizmik, sistemi hidrologjik, të gjitha sistemet që parashohin në terma të referencës. Ndërsa ky projekt pritet të përfundojë i kompletuar me të gjitha instrumentet e vendosura në nëntor të vitit 2023, diku në dhjetor bëhet edhe pranimi teknik. Pas një periudhe shumë të gjatë është fakt se prej viteve ‘90 nuk ka pasur asnjë monitorim në digat e Kosovës. Tani mund të themi se ka një mbikëqyrje shumë të nivelit të lartë krahasuar me atë që ka ndodhur në dy dekadat e fundit ose dy dekada e gjysmë”, tregon ai.

Digat, ndonëse sjellin rrezik, dobitë i kanë të mëdha, thotë Avdi Gjonbalaj. Sipas tij, deri më tash Kosova është dashur t’i kishte 47 diga të larta, duke iu referuar masterplanit të Kosovës, i përgatitur diku në vitet ‘80.

“Është paraparë që Kosova për 30 vjet duhet t’i ketë gjithsej 47 diga. Domethënë, edhe 42 diga është dashur të ndërtoheshin. Hidrografia e Kosovës, topografia e saj dhe aerografia e Kosovës janë të tilla sa ujërat e rrjedhshme nuk mund të na i plotësojnë nevojat as për bujqësi, as për industri, as për vendbanime. Pra, pa akumulime ne nuk do të mund t’i plotësojmë nevojat e banorëve. Prandaj digat janë e ardhmja jonë dhe s’kemi kah të shkojmë. Megjithëse ka shumë lëvizje në botë që janë kundër, megjithatë ne do të jemi ose të mos jemi, pa ujë nuk ka ekzistencë”, thekson Gjonbalaj.

Pesë diga të reja

Me gjithë nevojën e madhe për akumulim të ujit që e potencon Gjonbalaj, Ministria synon të ngrijë 5 diga të reja. Në plan janë ndërtimi i digave të Firajës, Desivojcës, Drenicës, Drakaqinës e Pollatës. Sipas Hafizit, qëllimi është që ato të përfundojnë deri në vitin 2030.

“Ne duhet të ndërtojmë diga të reja rezervuarësh, sepse Kosova nuk është e pasur me ujëra dhe duhet t’i ruajmë këto rezervuare të ujit, dhe, në anën tjetër, digat kanë shumë funksione. Ato nuk janë vetëm për ujë të pijshëm, por përdoren edhe për ujitje, për prodhim të energjisë elektrike, për rekreacion, por edhe për parandalim të vërshimeve”, potencon ai.

Diga e liqenit të Badocit është një prej akumulimeve kryesore në Kosovë për ujë të pijshëm. Furnizon një pjesë të Prishtinës dhe rrethinën e saj me ujë. Liqeni është 3.5 kilometra i gjatë e 100 metra i gjerë. Thellësia e tij është rreth 30 metra. Qasja në liqenin pranë të cilit shtrihet rruga Prishtinë-Gjilan është goxha e lehtë. Por, shqetësuese vlerësohet mundësia e qasjes edhe deri te diga. Aty aktualisht nuk ka rojë. Siguria duhet të garantohet nga operatorët që menaxhojnë ujin. Mungesa e ruajtjes së kësaj pende është alarmuese edhe për vetë Ministrinë.

“E kemi pak një problem ndoshta me rojën, ku e përmenda më herët, sepse, e shihni, këtu nuk është askush duke e ruajtur këtë digë.... Digat në krejt botën, janë vepra hidroteknike, të cilat janë të krahasueshme edhe me centrale bërthamore. Pse? Sepse e kanë nivelin e sigurisë shumë të lartë. Në shumë vende të Evropës, por edhe të botës, ruhen nga ushtria ose nga policia e njësiteve speciale, domethënë ruhen, sepse mund të kenë një potencial të rrezikut, siç ndodhi në këto vendet tani në Libi, ka ndodhur edhe në Shtete të Evropës, ka ndodhur në Turqi e të tjera”, shprehet Hafizi.

Por, deri në hartimin e Ligjit të ri të Ujërave, Ministria synon që ruajtjen e digave, të cilat i krahason me centrale bërthamore, ta bëjë me Federatën e Peshkatarëve.

“Ne po mendojmë që përmes një forme të financimit, qoftë përmes projekteve, qoftë përmes buxhetit të Kosovës, t’ua ndajmë atyre, një numri prej rreth 100 rojave të liqeneve dhe lumenjve të Kosovës... Pastaj përmes Ligjit të ri të Ujërave, të cilin jemi duke e draftuar, tani është në fazën e fundit të draftimit, aty do ta krijojmë e hartojmë bazën ligjore për punësim të përhershëm të rojave të lumenjve dhe liqeneve”, thotë Hafizi.

Muret kanë bllokuar rrjedhën natyrore të ujit në Përlepnicë, dhe atë e kanë futur në gypa. Fshati ka mbetur pa burime, por mbijetesa ka çmim, thonë përlepnicasit, të cilët, ndonëse s’e duan fare digën, luten për jetëgjatësinë e fortësinë e saj.