Arbëri

Dialogu vlerësohet si pa parime dhe klinikisht i vdekur

Në mesin e shumë ekspertëve nga vendi e bota, që ishin pjesë e konferencës “Dialogu Kosovë – Serbi: normalizimi ose status quo e përkeqësuar,” ka qenë edhe Valon Murtezaj.

Në këtë konferencë, ai ka përmendur një prej elementeve thelbësore që, sipas tij, duhet pasur parasysh në një proces negociator: kontekstin e tyre, raporton KTV.

Duke qenë se vjen nga Skënderaj, Valon Murtezaj ka kujtuar 21-vjetorin e sulmit serb në Prekaz dhe diskriminimin sistematik nga pushteti serb.

“Pa vullnetin me i njofto këto fakte, s’mundet të ecet përpara. Kushdo që i ka injoru këto, ka gabu shumë”, ka thënë Murtezaj, profesor në IESEG, Paris.

Për faktin se tema si ajo e të pagjeturve të luftës e dëmet e luftës, nuk janë trajtuar dhe për nevojën që të trajtohen në dialog, ka folur edhe publicisti Veton Surroi, derisa ka përshkruar edhe gjendjen aktuale në politikën kosovare rreth kësaj teme.

Sipas tij, në vend janë 4 rrafshe negociatore, duke filluar nga presidenti, ekipi negociator, kryeministri dhe dy partitë opozitare.

Tema si ajo e kufijve, sipas Surroit, përveç në Kosovë, ka vënë në pah mungesën e konsensusit edhe më gjerë.

Surroi, të dështuar e pa parime i ka konsideruar bisedimet në Bruksel, teksa ka theksuar se në vazhdimësi ka munguar komunikimi me serbët në Kosovë.

Ndërsa, Miodrag Miliçeviq nga organizata “Aktiv”, që vepron në Mitrovicën e Veriut dhe në Prishtinë, ka theksuar nevojën për një dialog që prek temat esenciale që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, e në të kundërtën ka paralajmëruar për pasoja.

“Kjo që po ndodh tash në Kosovë dhe rreth Kosovës më shumë na çon drejt një konflikti të heshtur që në çdo moment mund të eskalojë”, ka thënë Miliçeviq.

Se BE-së i ka rënë interesimi për Kosovën, krahas temave si BREXIT e marrëdhëniet me SHBA-në, e ka pohuar edhe Nicholas Whyte, drejtor i organizatës APCO, që ka theksuar se Kosova duhet të bëjë më shumë për forcimin e imazhit të saj.

Konferenca e organizuar nga KIPRED, Riinvest dhe FES, ka pasuar me diskutimet në panele me tema të tjera për çështje ekonomike dhe zgjidhjet potenciale mes Kosovës e Serbisë.