Arbëri

Dialogu teknik rikthen kërkesat e mëhershme të Serbisë

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Delegacioni kosovar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, do të takohet të martën me përfaqësues të Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut teknik. Një ditë më vonë emisari i BE-së do ta ndërmjetësojë edhe një takim me palën serbe të udhëhequr nga Petar Petkoviq, i cili ka paralajmëruar se temë kryesore do të jetë Asociacioni

Tema të cilën Qeveria synon ta shmangë në çdo takim pritet të shtrohet për diskutim nga pala serbe, në kuadër të dialogut teknik që nis të martën. Derisa pala kosovare nuk ka treguar për çështjet që synon t’i ngrejë, Petar Petkoviqi ka paralajmëruar se çështja kryesore është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, të martën bëhen 3000 ditë që nga nënshkrimi i marrëveshjes, teksa ka akuzuar Prishtinën për mospërmbushjen e saj.

“Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe gjashtë pikat e para që i referohen Asociacionit. Sigurisht që do të jetë tema kryesore për ne. Ne gjithashtu do të flasim për të zhdukurit, sepse është një çështje e rëndësishme që rëndon të dyja palët dhe nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje e civilizimit”, ka thënë Petkoviqi për mediat serbe.

Në një deklarim për KOHËN edhe zyrtarë të BE-së kanë kujtuar obligimet që Kosova teksa presin propozime sa u përket modaliteteve të Asociacionit.

Veç takimeve të ndara mes Kosovës dhe Serbisë, emisari i BE-së do ta mbajë edhe një të përbashkët mes palëve. Aty pritet të diskutohet edhe për të zhdukurit, çështje për të cilën familjarët në Kosovë kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk po bën mjaftueshëm.

“Kur janë në pyetje personat e pagjetur në Bruksel nuk shkohet pa familjarë. Shumë keq, por edhe shumë i papërgatitur sa i përket pikës katër të të pagjeturve, sa është premtuar se do të flitet dhe të kërkohet falje, por edhe të kërkohet që të zbardhet fati i të pagjeturve nuk është thënë, por është dashur të jetë edhe një familjar. Me këto gjëra nuk është përgatitur sa duhet delegacioni ynë në krye me kryeministrin”, ka thënë Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.

“Jam shumë i zhgënjyer sepse nuk është thënë as nuk është përmendur ajo që është premtuar para se të shkojë në dialog. Më së pari të kishin kërkuar nga ai ‘kasapi i Ballkanit’ keqardhjen për atë çka ka ndodhur me trupat e pambrojtur të Republikës së Kosovës, jo që kryeministri ia ka kërkuar faljen por as keqardhjen, por e ka vendosur pikën e katërt të cilën familjarët e zhgënjyer me atë çka është premtuar dhe atë çka është dashur të flitet”.

Ndërkaq kryetari i Këshillit koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmet Grajçevci, thotë se është shumë e rëndësishme të vihen para drejtësisë kryerësit e krimeve të luftës së fundit.

“Kërkojnë më së pari që t’u kthehen më të dashurit e tyre, sepse e dinë që janë në territorin e Serbisë, kërkojnë drejtësi, sepse drejtësia është ajo që e zgjidh gjithë problemin, e zgjidh edhe pajtimin. Më së pari duhet të ndriçohet e vërtetat pastaj të punojmë për paqe”, ka thënë ai.

Në lidhje me kërkesën e Kurtit për largimin e Veljko Odaloviqit nga kryesimi i grupit për të pagjeturit, Sipas Grajçevcit, është dashur që të shkarkohej që në fillim për shkak të rolit që ka pasur gjatë luftës.

Nga marrëveshjet e tjera të arritura në kuadër të dialogut që zhvillohet prej vitit 2011, nuk është zbatuar ajo për hapjen e Urës mbi Ibër, për energjinë dhe marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave.

Këto janë bisedimet e para të Qeverisë së re në nivel teknik që i paraprijnë takimit të këtij muaji ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.