Dhomat e Specializuara kanë dalë me njoftim për fillimin e gjykimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit deklaratat hyrëse do të jepen më datat 3, 4 dhe 5 prill.
“Më 3 prill 2023, në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të hapet gjykimi kundër zotit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë (DHSK). Është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.
Më 3 prill, fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë ka paralajmëruar se i duhen më së tepërmi 5 orë, po ashtu edhe mbrojtësi i viktimave në këtë rast ka planifikuar deklaratën e tij që do të zgjasë 45 minuta.
Pas mbrojtësit të viktimave, është planifikuar që deklaratat hyrëse të bëjnë secili prej katër ekipeve të mbrojtjes. Këto deklarata do të bëhen më 4 prill.
Në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë pranuar si viktima në procesin gjyqësor, 140 persona. Paraqitja e provave, duke nisur edhe thirrja e dëshmitarëve nga ZPS-ja do të nisë më 11 prill.
Aktakuza fillestare ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020, dhe është ndryshuar më 3 shtator të vitit 2021, më pas 29 prill 2022 dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës është dorëzuar më 27 shkurt të këtij viti.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.