Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Ferizaj ka nisur t’i dërgojë te përmbarues me dhjetëra institucione shkollore të kësaj komune, shkaku i borxhit të akumuluar deri në vlerë 200 mijë euro. Drejtues të “Bifurkacionit” i bënë thirrje Komunës që ta bëjë shlyerjen e borxhit. E nga Komuna thanë se nga ndërmarrja asnjëherë nuk kanë pranuar ndonjë ofertë lidhur me çështjen
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj ka nisur t’i dërgojë te përmbaruesi lëndët me dhjetëra institucioneve shkollore në këtë komunë, shkaku i borxheve të akumuluara prej mbi 200 mijë eurosh.
Në këtë kompani thanë se për dy vjet janë zhvilluar bisedime me Komunën për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se masa e shkyçjes së shkollave nga rrjeti i ujësjellësit nuk është aplikuar gjatë kësaj kohe për hir të nxënësve.
Jeton Shabani, drejtor i kompanisë i “Bifurkacionit”, u kërkoi institucioneve komunale që t’i shlyejnë të gjitha faturat e ujit për institucionet shkollore apo të ofrojnë ndonjë marrëveshje lidhur me borxhet.
“Disa shkolla për shkak të borxheve që kanë pasur kanë përfunduar lëndët në përmbarues, disa i kanë bërë pagesat e disa i kanë vazhduar lëndët deri në gjykatë dhe mbetet tash të shohim se si përfundojnë ato. Koston e saktë nuk e dimë të borxheve, por mund të jetë mbi 200 mijë euro vetëm shkollat”, tha Shabani.
Shabani tha se lëndët e disa shkollave janë në procedurë gjyqësore dhe se epilogu i tyre pritet brenda vitit.
“Këto lëndë që kanë shkuar në përmbarim, mbetet të shohim pasi që sivjet përfundojnë procedurat gjyqësore, ndërsa pjesa tjetër që e kanë pranuar borxhin që e kanë pasur, nuk kanë bërë pagesa, por nuk kanë bërë prapësim dhe përmbaruesi ua ka marrë komunës”, tha Shabani.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, theksoi se borxhet ndaj kompanisë janë trashëguar që nga paslufta, shkaku i defekteve të ndryshme në rrjetin e ujësjellësit.
“Prej pasluftës e këndej është bërë grumbullimi i faturave të ujit. Për një kohë ndoshta nuk është regjistruar, ndoshta, pastaj nuk e di, ndoshta ka pasur rrjedhje. Problem, sepse unë vetë i kam evidentuar dy defekte goxha të mëdha. Faktikisht jam në kontakt me ‘Bifurkacionin’ dhe kam kërkuar prej tyre që gradualisht shkollat, sepse kemi shkolla që janë me zero borxhe, por kemi shkolla që kanë me mijëra apo dhjetëra e mijëra euro. Prandaj, po mundohem që faturat e periudhës së fundit për 7 apo 8 muaj t’i paguajmë dhe goxha mirë jam”, tha Llabjani.
Llabjani tha se nga “Bifurkacioni” asnjëherë nuk është pranuar ofertë zyrtare për bashkëpunim në shlyerjen e borxheve.