Arbëri

Dhjetëra fëmijë në situatë rruge vizitojnë qendrën e hapur rishtas për ta

150 fëmijë në gjendje rruge janë identifikuar në nivel vendi. Shumica nga ta, për shkak të përfitimeve më të mëdha, kërkojnë lëmoshë në rrugët e Prishtinës.

Në mënyrë që këta të mitur të ndihen të sigurt e të integruar në shoqëri, me iniciativën e Organizatës Terre des Hommes, Komuna e Prishtinës hapi qendrën e qëndrimit ditor për këtë kategori, raporton KTV.

Që nga dita e hapjes e edhe për gjatë javës, dhjetëra fëmijë kanë vizituar qendrën.

Disa nga ta i kanë thënë televizionit se njëra ndër arsyet që vizitojnë qendrën është shujta ushqimore.

Shumica prej tyre, aktivitetet edukativo-arsimore i bëjnë për herë të parë në këtë qendër.

Nga Terr des Hommes, thonë se ata janë të diskriminuar dhe jo vetëm nga shoqëria, por edhe familja, andaj për ta në qendër ofrohen edhe shërbime psiko-sociale.

Drejtori i Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, thotë se janë dy kategori të fëmijëve të cilëve u ofrohen shërbime të specializuara.

Sipas Kukajt, synimi kryesor është që këta fëmijë të reduktojnë kohën e kaluar në rrugë, në mënyrë që të minimizohen rreziqet që u kanosen.

E të gjitha këto shërbime ofrohen nga stafi i specializuar.

Qendra për fëmijët lëmoshë-kërkues ndodhet pranë ambasadës së Zvicrës, e cila po ashtu ka ndihmuar në hapjen e saj.