Arbëri

Dhjetë nga 46 ankesat në PZAP janë paraqitur nga Bekim Jashari

Bekim Jashari, kandidat për kryetar të Skenderajt, ka deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ankesat për fotografim të fletëvotimit e presion ndaj votuesve. Subjektet politike, kandidatët për kryetarë dhe të tjerë individë të përfshirë në zgjedhje kanë denoncuar kryesisht shkelje në rrjetet sociale. PZAP ka në dispozicion 72 orë për shqyrtimin e tyre

Nga 46 ankesat që u deponuan në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, dhjetë prej tyre i ka bërë Bekim Jashari, kandidat për kryetar të Skenderajt. Ankesat që Jashari i paraqiti kanë të bëjnë me fotografim të votës dhe të fletëvotimit, parregullsi gjatë votimit e numërimit, për mosregjistrim në FPR ose FRK dhe për presion ndaj votuesve.

evidentimit të parregullsive të shumta që kanë ndodhur në shumë vendvotime në komunën tonë, sot kemi deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”, duke deformuar kështu vullnetin e shenjtë të qytetarëve të Komunës sonë”.

Pos Jasharit, nga Partia Demokratike e Kosovës u ankuan për numërim jo të saktë të votave. Betim Gjoshi, sekretar në PDK, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se ankesa ka pasur për numërim jo të saktë të votave dhe thyerje të heshtjes zgjedhore.

“Sa i përket mbarëvajtjes së procesit nuk kemi paraqitur asnjë ankesë. Vetëm për thyerje të heshtjes zgjedhore dhe ka disa kandidatë individualisht për numërim jo të saktë të votave”, ka thënë Gjoshi.

Ndërkaq ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuar Panelit për Ankesa dhe Parashtresa, kanë të bëjnë me mospërputhje të votave. E në uebfaqen e PZAP-së nuk figuron asnjë ankesë nga LDK-ja e AAK-ja.

Sipas PZAP-së, këto 46 ankesa janë paraqitur nga individë, subjekte politike, kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale. Kryesisht ato kishin të bënin me thyerje të heshtjes zgjedhore e parregullsi në vendvotime.

“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë: thyerje e heshtjes zgjedhore - sponsorizim i postimeve me përmbajtje elektorale në Facebook, thirrje për të votuar përmes sms-ve, thirrje për të votuar përmes rrjetit social Facebook, vendosja e posterit në afërsi të Qendrave të Votimit, Postim i një fotografie me përmbajtje elektorale në rrjetin social në FB, Shpërndarje e videove, fotove me përmbajtje elektorale në rrjetin social FB, thyerje e heshtjes zgjedhore - thirrje për të votuar nëpërmjet postimit të fotos së fëmijëve në rrjete sociale Instagram, nuk i është mundësuar votimi në vendvotim, ankesa për shkak të mungesës së votave, parregullsi në vendvotime, parregullsi gjatë numërimit të votave nga ana e KVV-ve, grumbullimi i njerëzve si presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, fletëvotime te pavulosura, etj”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Ky institucion ka kohë 72 orë të shqyrtojë dhe të marrë vendim mbi këto ankesa. Të njëjtën kohë ka edhe Gjykata Supreme për të dalë me një verdikt, në rast se ankuesit nuk janë të kënaqur me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa. Derisa, të gjitha këto procese e shtyjnë kohën e KQZ-së të dalë me rezultate përfundimtare e të certifikuara. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, deri në dy javë mund të vonojë një vendim i tillë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetar të Komunave, pra për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të tyre, në mënyrë që të arrijmë afatet ligjore”, ka sqaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Numërimi i votave në Qendrën për Numërim dhe Rezultate deri tani nuk ka filluar, për shkak se të dhënat ende po futen në sistem. Zgjedhjet e pesta lokale u mbajtën më 17 tetor.