Edhe në një Kuvend Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pasur përleshje fizike ndërmjet anëtarëve, këtë herë në fshatin Koshare të Ferizajt, raporton KTV.
Fyerje e dhunë kanë përdorur anëtarët e kësaj nëndege mes vete, derisa po tentonin të mbanin Kuvendin zgjedhor.
Në këtë video shihet momenti kur situata ka eskaluar, derisa mbledhja e anëtarëve ka dështuar.
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarça, thënë se ky incident ndodhi për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, e, sipas tij, fajtor për këtë është ish-kryetari i nëndegës së LDK-së në Koshare, Hajrullah Ademi.
Svarça ka thënë se incidente të tilla nuk e ulin LDK-në politikisht, derisa ka shtuar se persona me bindje të tillë ia duan të keqen partisë.
Por, tërë këto akuza, i ka mohuar ish-kryetari i degës së LDK-së në Koshare, Hajrullah Ademi.
Ai ka thënë se mbledhja është bërë pa paralajmërim, derisa kryetari Svarça dhe Valon Halimi, kryetar i nëndegës në Koshare, janë fajtorët kryesorë për përleshjen fizike ndërmjet anëtarëve.
Ademi ka theksuar se ky incident e ka dëmtuar rëndë imazhin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe anëtarët e tillë si Muharrem Svarça e Valon Halimi, nuk i duhen LDK-së.
KTV-ja gjatë ditës ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari aktual i nëndegës së LDK-së në Koshare, Valon Halimi, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave dhe as mesazheve.
Javë më parë, edhe në zgjedhjet e LDK-së në një nëndegë në Mitrovicë, në prani të shefit të Grupit Parlamentar të partisë, Avdullah Hoti, pati përleshje fizike gjatë mbajtjes së kuvendit.