Arbëri

DESKU në KTV: SHBA-ja midis Trumpit dhe Bidenit

Ai ka qenë kandidat jokonvencional, president i papërshtatshëm amerikan dhe tani po përballet me një vendim, konkretizimin e të cilit po e pret gjithë bota.

Me sytë e kthyer kah mandati i dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe i ballafaquar me sfiduesin që prin në sondazhe, presidenti amerikan, Donald Trumnp, nuk është kursyer në vënien në dyshim të integritetit të votave, përcjell KOHA.

Dhe për këtë arsye, ka paralajmëruar edhe angazhimin e skuadrave të tëra avokatësh kur qendrat e fundit të votimit të mbyllen. Krejt kjo në përpjekjen e tij të fundit për të dëmtuar rëndë procesin demokratik, në minutat përmbyllëse të fushatës.

Gjatë mitingut në Newton të Pennsylvannias ka folur për rrëmujë kaotike në Amerikë.

Me këtë nuk iu referua paralajmërimit të trazirave në rrugë, por numërimit të votave që dërgohen me rrugë postare. Republikanët u përpoqën ta parandalonin zgjatjen e afatit për numërimin e votave në Pennsylvannia, por dështuan me përpjekjen e tyre.

Gjithë fushata midis Trumpit dhe demokratit Joe Biden pati marrë drejtim krejtësisht të ri, me konfirmimin se pandemia e koronavirusit ka lënë të vdekur më shumë se 230 mijë qytetarë në Shtetet e Bashkuara.

Menaxhimi i pandemisë nga Trumpi është bërë pika ndezëse në debatet e tija kundër sfiduesit demokrat Joe Biden, i cili ka qenë përherë i kujdesshëm, duke e ka kaluar madje gati tërë verën në shtëpinë e tij në Delaware dhe larg fushatave shkaku i virusit.

Por më pas e rinisi fushatën me tubime të vogla dhe duke zbatuar distancën sociale. Duke u shfaqur përherë me maskë para publikut, për t’u përqeshur për këtë nga presidenti Trump. Qysh nga fillimi, fushata e Trumpit është shoqëruar me deklarata të paqena mbi pandeminë dhe Bidenin.

Në çdo tubim ka përsëritur se virusi po ikën ose do të ikë, ani pse numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi vazhdonte të ngrihej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveçse me pandeminë, administrata e Trumpit u ballafaqua edhe me protestat që nisën me vdekjen e afro-amerikanit George Floyd në duart e policisë.

Fluksi i demonstratave pasuese ndaj racizmit ishte më i dhunshmi në dekadat e fundit.

Ndërsa Trumpi i fyente protestuesit dhe ndaj tyre angazhoi edhe forcat federale.

Kjo ngjalli pakënaqësi edhe më të mëdha te kundërshtuesit e dhunës kundër afro-amerikanëve.

Rivali i tij, Biden, premtonte reforma policore dhe për këtë ka përgatitur një plan miliona dollarësh teksa vazhdimisht ka bërë thirrje se racizmi sistematik duhet të marrë fund.

Në debatin e parë të 30 shtatorit, Trumpi dhe Bideni u përplasën për secilën temë teksa presidenti i ndërhyri vazhdimisht rivalit, por edhe udhëheqësit të debatit.

Në një moment, ia doli që ta nxirrte Bidenin nga zona e tij e rehatisë. Para debatit, demokrati kishte premtuar se do të ishte gjakftohtë, por ndërhyrjet e presidentit e shtynë që të humbte kontrollin dhe në një rast e quajti atë “palaço”.

Megjithëse ishin më të matur se në debatin e fundshtatorit, Trumpi dhe Bideni shpalosën qëndrime diametralisht të kundërta për pandeminë dhe iu lëshuan edhe sulmeve personale. Trumpi ndërkaq u nxori punë edhe kontrolluesve të fakteve, pasi tha shumë të paqena në këtë debat.

Aty republikani e cilësoi veten si personin që ka qenë më së paku racist, që prej presidentit Abraham Lincoln. E Biden iu kundërpërgjigj ashpër, duke e quajtur presidentin më racist që njeh Amerika.

Ndërkohë, midis përplasjesh e fryrjes së numrave me raste të reja të të infektuarve me koronavirus, nga COVID-19 u prek vetë Trumpi. Sëmundja e tij ndodhi në kohën kur presidenti po mundohej ta bindte publikun amerikan se ditët më të rënda me pandeminë veç kanë kaluar.

Në votimet e sotme, amerikanët do të zgjedhin mes dy 70-vjeçarëve me qëndrime dramatikisht të kundërta për kujdesin shëndetësor, ndryshimet klimatike, politikën e jashtme dhe lidershipin në një periudhë të ndasive të thella. Republikani 74-vjeçar e përmbylli fushatën duke u sfiduar dukshëm nga sondazhet e disfavorshme karshi Bidenit.

Në anën tjetër, Bideni është kandidati më i moshuar presidencial në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, por krejt jetën e ka kaluar duke punuar si zyrtar i lartë në Washington. Asnjë nga të nominuarit për garën presidenciale nuk kanë pasur kaq shumë përvojë në qeverisje.