Brenda këtij viti nuk do të mund të fillojë aplikimi i metodës së IVF në QKUK. Kjo metodë është formë e fertilizimit për gratë e burrat që nuk mund të kenë fëmijë në rrugë natyrale. Përderisa drafti i ligjit për këtë çështje do të dalë në votim javën tjetër, tenderi për furnizim me pajisje të IVF-së është anuluar
Kosova rrezikon të mos e funksionalizojë sivjet procesin e realizmit të shtatzënisë së asistuar mjekësore në QKUK për gra e çifte që kanë probleme për shtatzëni natyrale.
Ligji për IVF-në nuk ka kaluar ende për shkak se disa nga deputetët e pushtetit nuk e kanë votuar draftin, ku lejohet aplikimi i IVF edhe për gratë e pamartuara, duke e konsideruar atë si metodë “kundër familjes”.
Përderisa ky draft sërish do të kthehet në Kuvend javën e ardhshme për votim, SHSKUK-ja ka dështuar tashmë t’i sigurojë pajisjet.
Tenderi për t’i siguruar këto pajisje tashmë është anuluar. Arsye e anulimit është mungesa e kompanive të përgjegjshme që kanë marrë pjesë në tender.
Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milionë euro.
Plani për funksionalizimin e repartit të IVF-së në QKUK parashihte furnizimin me pajisje qysh në tremujorin e parë të këtij viti.
“Sigurimi i pajisjeve të nevojshme TM 1 2023 800,000 mijë euro”, thuhet në pikën 1.3 të këtij plani.
Javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i tha KOHËS se është optimist që plani do të zbatohej ashtu siç është planifikuar.
“Ashtu siç kemi thënë, jemi shumë optimistë që deri në fund të këtij viti këto shërbime të mund të ofrohen në QKUK”, pati deklaruar Vitia në mes të gushtit.
Megjithatë, pas anulimit të këtij procesi është thuajse e pamundshme që ky tender të përmbyllet brenda këtij viti.
Kjo për shkak se në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë procedurat që nga shpallja e tenderit e deri në nënshkrimin e tij zgjasin të paktën 2 muaj. E në rastet kur ka ankesa e lënda shkon për trajtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit, procesi edhe zgjatet për disa muaj.
Edhe pas nënshkrimit të kontratës, zakonisht kompanive u jepen në dispozicion 40 ditë për t’i sjellë aparaturat për të cilat janë kontraktuar.
Tenderi për furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për njësitë organizative të QKUK-së me 34 pjesë (lote), ku përfshihet edhe pjesa e IVF-së në Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë ishte hapur në fillimin e majit të këtij viti. Pra deri në vlerësimin e këtyre ofertave, MSH-ja ka harxhuar më shumë se katër muaj.
IVF-ja është formë e fertilizimit për gratë e burrat që nuk mund të kenë fëmijë në rrugë natyrale. Aktualisht kjo metodë nuk aplikohet në QKUK, ndërsa çmimi në spitale private konsiderohet i lartë.
Nga një analizë e Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se kosovarët kanë shpenzuar 5.5 milionë euro në spitalet private për IVF.