Arbëri

Dështon seanca për rastin “Gylenistët”

Rasti "Gylenistët"

Foto: KOHA

Të mërkurën ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin “Gylenistët”.

Seanca ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, s’u mbajt pasi s’pati përkthyes të gjuhës turke. Ai akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur procedura ligjore.

Në këtë seancë, ishte paraparë që te dëgjoheshin shtetas turq në cilësinë e dëshmitarëve.

Gashi ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata Themelore, por Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim lëndën.

Më 29 mars të 2018-s, gjashtë shtetas turq me lejeqëndrim të rregullt në Kosovë, ishin depërtuar nëpërmjet një aksioni ku ishte përfshirë edhe inteligjenca turke.

Ankaraja zyrtare i konsideroi ata si gylenistë dhe i dënoi me dhjetëra vjet burg.

Pas deportimit të tyre, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj e kishte liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi.

Me vonë Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë kundër disa zyrtarëve, për deportim të jashtëligjshëm.