Katër dëshmitarë që janë njëherësh të dëmtuar nuk janë paraqitur në shqyrtimin gjyqësor për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku të akuzuar janë Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq.
Dëshmitarët Bilall Ujkani, Vesel Latifi, Murteza Dallku, siç tha kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, i ka njoftuar gjykata që nga seanca e kaluar se ftohen për të dëshmuar në seancën e së hënës e edhe me telefon.
Po ashtu edhe dëshmitarit Sabri Dallku, sipas tij, i është dërguar ftesë zyrtarisht dhe është njoftuar përmes telefonin për mbajtjen e seancës. Për këtë seancë pati ndryshim të orës nga 9 e 30 në 13 e 15, por siç kanë thënë në gjykatë dëshmitarët e dëmtuar janë njoftuar që nga e premtja për ndryshimin e orarit. Seanca e radhës u shty për datën 6 shkurt.
Kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitarë nuk dhanë arsye për mosprezencën e tyre në seancë. Gjyqtari Lutfi Shala tha po ashtu se gjykata do t'i ftojë përsëri, si dhe do t'i ndërmarrë të gjitha masat ligjore për ta siguruar pjesëmarrjen e tyre në çështjen penale.
Kostiq, i cili ka kombësi serbe, akuzohet për pjesëmarrje në vrasje, dëbim, keqtrajtim dhe plaçkitje. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 maj, ai ka marrë pjesë në Masakrën e Reznikut, ku më 6 prill 1999 u vranë 8 anëtarë të familjes Ujkani.
“Në mesin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik si: Imer Ujkani, Muhamet Ujkani me bashkëshorten, Behxhet Ujkani, Fehmi Ujkani, Sofije Ujkani, Faik Ujkani. Po ashtu, në ditën kritike vriten edhe Tefik Ujkani me bashkëshorten Halide Ujkani, dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi ua vunë zjarrin shtëpive dhe dogjën kufomat e familjes Ujkani”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Këtë ngjarje e ka parë dëshmitari Bilall Ujkani”, thuhet në aktakuzë.
E, Dragan Miloviq me kombësi malazeze, akuzohet së në maj të 1999-s ka keqtrajtuar, rrahur dhe torturuar civilë shqiptarë në Vushtrri.
“I akuzuari me disa policë serbë të armatosur fillojnë t’i ndajnë popullatën civile shqiptare, si dhe i detyrojnë t’i vendosin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunjë përtokë duke i goditur vazhdimisht me disa kërroçe të hekurta e disa me shkopinj druri dhe me kondak të armëve, ku ishin edhe Ali Asllani, Kadri Shaqiri, Hakif Kasumi, Fadil Bajrami, Murat Mema, Sami Rrustemi, Tahir Fazliu, e ku Kadri Shaqiri dhe Ali Asllani e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq që ka qenë i veshur me uniformë të policisë serbe dhe me pajisje të policisë duke i goditur pandërprerë këta civilë shqiptarë me shkop metalik”, thuhet në aktakuzë.