Arbëri

Dështon seanca për gazin lotsjellës në Kuvend, në Gjykatë e pranishme vetëm Haxhiu

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është paraqitur në Gjykatë për gjykimin për gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, në mungesë të akuzuarve të tjerë, Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu, ka dështuar të mbahet gjykimi për gazin lotsjellës. 

E pranishme në seancë ishte vetëm e akuzuara Albulena Haxhiu. Seanca është shtyrë për 7 maj në ora 09:30. Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, Bujar Ahmeti tha se për të akuzuarin Pal Lekaj, gjykata nuk ka dëshmi që është njoftuar në kohë dhe mënyrë të rregullt. 

Po ashtu, mungoi e akuzuara Besa Baftiu, për të cilën gjykata tha se nuk ka dëshmi se është njoftuar me kohë dhe mënyrë të rregullt, prandaj është konstatuar se tentimi është bërë, por pala është shpërngulur. 

E për të akuzuarën Donika Kadaj Bujupi, kryetari i trupit gjykues tha se është njoftuar për mbajtjen e seancës. 

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016. Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim. Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.