Arbëri

Dështon miratimi i marrëveshjes 25-milionëshe për banim social

Marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e banimit social nuk arriti të miratohej në Komisionin parlamentar për Buxhet. Shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje përplasi opozitën me ministrin Hekuran Murati

Marrëveshja prej 25 milionë eurosh për banim social nuk arriti të miratohej të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mungesë të kuorumit. 

Kjo marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës përplasi opozitën me ministrin e Financave, Hekuran Murati. 

Shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje nuk ishte në rend të ditës, por u vendos gjatë mbledhjes pas propozimit të Muratit.

“Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Po ashtu, përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura mesatare, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim”, ka thënë ministri Murati.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Partia Demokratike e Kosovës e vlerësuan këtë veprim të ministrit nismë për përfitime elektorale. 

“Nuk është korrektësi para qytetarëve, sepse e keni pasur bashkë me tri-katër premtime të tjera, e keni pasur premtimin kryesor ofrimin e banimit social për arsimtarët, familjet me asistencë sociale dhe për njerëzit që kanë nevojë. Ndërkaq, sot na prezantohet një marrëveshje për banim social-kredi, kurse ky vend dhe kjo qeveri nuk ka vuajtur për mungesë fondesh për të ndërtuar çfarëdo edhe në këtë rast konkret”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se nisma e Muratit është për efekt elektoral.

“Ne e kuptojmë që partitë politike tash janë para zgjedhjeve dhe mundohen që qytetarëve të vet t’i paraqesin premtime dhe t’i ushqejnë me shpresa, ndonjëherë edhe të rrejshme, siç është parë nga qeveria aktuale, sepse ka premtuar shumë por në praktikë ka dëshmuar që ka dështuar në secilin premtim që ka dhënë. Sidomos në pjesën përmbajtjesore të rregullimit të mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

Në këtë mbledhje janë shqyrtuar edhe tri raporte financiare të institucioneve publike si dhe një marrëveshje me BERZH-in, por as ato nuk arritën të miratoheshin në mungesë të numrit të nevojshëm të deputetëve.