Vonesa e deputetëve të pushtetit në Komisionin për Ekonomi ka bërë që të dështojë mbledhja e paraparë për të martën, në mungesë të kuorumit.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala vetëm 15 minuta pas orës 11:00 kur parashihej të fillonte mbledhja, e shpalli atë të dështuar, pasi të pranishëm ishin vetëm tre deputetë opozitarë, Shala, deputeti tjetër i PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi.
Tek pas mbylljes së mbledhjes në mungesë të kuorumit në sallën e caktuar për mbledhje erdhën deputetët e Vetëvendosjes, Armend Muja, Driton Hyseni dhe Mimoza Kusari-Lila.
Gjatë kësaj mbledhjeje ishte paraparë shqyrtimi i Projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë si dhe themelimi i Grupit të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrje publike etj.