Arbëri

Në listë dëshmitarësh për energjinë, edhe të vdekur e të burgosur

Komisioni Hetimor për sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 nuk ka arritur ta miratojë listën e personave që duhet ftuar si dëshmitarë. Deputetë të Vetëvendosjes janë pajtuar që të largohet emri i ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha, i cili është i vdekur, ata kanë insistuar që pjesë e listës të mbeten ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Ndërkaq anëtarë të opozitës kanë këmbëngulur që në intervistë të ftohet edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori Martin Berishaj.

Lista e dëshmitarëve që duhet intervistuar ka përplasur anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për sektorin e energjisë referuar periudhës 2006-2022.

Opozita ka kërkuar që nga lista e të ftuarve për intervistë të hiqen emrat e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Kolë Berisha.

“Zotërinë Berisha s’mund ta ftojmë, sepse ka vdekur. Edhe s’mund t’i ftojmë Veselin, Krasniqin e Thaçin se ata janë në proces gjyqësor të Hagës, janë duke e mbrojtur lirinë e Kosovës atje edhe s’kanë të bëjnë me këtë proces që jemi duke e zhvilluar ne”, ka thënë Hajdar Beqa i PDK-së.

“Me e thirr sot Glauk Konjufcën, si kryetar të Kuvendit të Kosovës ose me thirrë Kolë Berishën është banale sepse nuk ka lidhje me sektorin me atë që na pretendojmë me e nxjerre një informacion te caktuar”, ka deklaruar Armend Zemaj i LDK-së.

Anëtari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja, ka thënë se mund të hiqen vetëm të vdekurit, si në rastin e ish-kryeparlamentarit Berisha, por jo edhe Thaçi, Veseli e Krasniqi.

“Disa prej jush po kërkoni që disa të hiqen për arsyen se dikush ka vdekë, ne jemi dakord për të gjithë që kanë vdekë të hiqen nga lista, nuk jemi dakord për të tjerët”, është përgjigjur Muja.

Anëtarët e Komisionit të partisë në pushtet kanë këmbëngulur se në listën e dëshmitarëve nuk duhet përfshirë shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe as ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Pas më shumë se një orë diskutimesh në Komision, nuk është arritur pajtimi për listën finale të njerëzve që duhet të ofrojnë dëshmitë në lidhje me vendimmarrjen në sektorin e energjisë gjatë periudhës 2006-2022.