Iniciativa qytetare për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore ka dështuar pasi numri i daljes në votim ishte i ulët.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se s’ka kaluar procesi për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore.
Radoniqi ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 qytetarë nga rreth 13.000 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6.000 me të drejtë vote, në Zveçan s’ka votuar askush e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.
Ai ka thënë se përkundër sfidave, KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që t’iu mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtës demokratike dhe ligjore.
“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore”, ka deklaruar Radoniqi në një konferencë për media.
Qendrat e votimit në katër komunat janë hapur nga ora 7 e mëngjesit.
Lista Serbe kishte bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Për t'i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.
Dalja deri në ora 11:00 ka qenë shumë e ulët.
Pamje nga vendvotimet në Mitrovicë të Veriut:
Pamje nga vendvotimet në Zveçan:
Dështoi iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se s’ka kaluar procesi për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore.
Radoniqi ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 qytetarë nga 13.674 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga 6.877 qytetarë me të drejtë vote, në Zveçan s’ka votuar askush nga 7.209 qytetarë e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota nga 18.796 vota apo 0.59 për qind.
Ai ka thënë se përkundër sfidave, KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që t’iu mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtës demokratike dhe ligjore.
“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore”, ka deklaruar Radoniqi në një konferencë për media.
Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano, ka thënë shkurtimisht se është ofruar siguria gjatë procesit të votimit në katër komunat veriore.
Kurteshi: Dalja e ulët në votime tregon thyerjen e Listës Serbe në veri
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se deri tash nuk ka ndonjë incident, por sipas tij, ka dalje shumë të ulët në votim.
Ai ka thënë se dalja e ulët e qytetarëve në votim ka konotacion politik dhe jo teknik apo administrativ.
Sipas tij, janë çështjet e statistikave që shpërfaqin synimet politike.
Ka deklaruar se dalja e ulët tregon thyerje të Listës Serbe në veri.
“Ne do ta shohim sa votues mund të jenë deri kur mbyllen qendrat e votimit. Nëse dalin më pak votues se numri i zgjedhësve në vitin 2021, atëherë i bie që legjitimiteti i kryetarëve aktual është krejt në rregull. Mundësitë i kanë që të shprehin vullnetin e tyre politik, por ne nuk e dimë se cilat janë arsyet për mosdalje”, ka thënë ai.
Kurteshi ka thënë se në aspektin statistikor ka ardhur një moment i thyerjes që ka karakter politik.
Sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 ka pasur kërcënime e shantazhe, por sipas tij, kjo më nuk është e mundur.
Ai ka thënë se tash është kontrolli më i madh i KQZ-së në vendvotimet në veri.
Kurteshi ka deklaruar se nga shteti i Kosovës nuk ka shantazh e frikësim.
“Ata mund të tregojnë me këtë veprim që nuk janë të interesuar për zgjedhje të reja, e as për largim të kryetarëve aktualë që pastaj të vjen në pushtet Lista Serbe. Lista Serbe ka humbur shumë terren. Lista Serbe e ka vërejtur se qytetarët serbë e kanë humbur besimin ndaj tyre. Unë kam pritur që do të ketë numër më të madh të votuesve. Në Zveçan ka zero votues dhe ky është sinjal shumë i keq për Listën Serbe”, ka thënë ai.
Kurteshi ka thënë se Lista Serbe është organizatë terroriste.
Sipas tij, KQZ-ja nuk ka të drejtë ta çregjistrojë.
Ka deklaruar se “Prokuroria që hesht, fatkeqësisht kanë lidhjet e tyre edhe Listën Serbe, disa prej prokurorëve”.
“Prokuroria e ka për obligim që çdo vepër penale ta ndjek sipas detyrës zyrtare. Një aktakuzë për faktet objektive ngritët brenda ditës. Milan Radojçiqi e ka pranuar sulmin ndaj Kosovës, por nuk ka aktakuzë ndaj tij. Unë pres nga një prokuror që ta ndjekë terrorizimin”, ka thënë ai.
Jakupi: Qytetarët në veri, humbësit më të mëdhenj nga ky proces
Njohësi i qeverisjes lokale, Shkëlqim Jakupi, ka deklaruar se nga mosdalja në votim në veri humbin më së shumti qytetarët e katër komunave.
Ai ka deklaruar të dielën në KTV se kjo do të ndikojë në jetën dhe interesat e tyre.
“Mospjesëmarrja në votim për largimin e kryetarëve, në momentin kur procesi ndikohet nga interesat politike, ato më së paku kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ata (qytetarët) janë humbësit më të mëdhenj, e mosdalja në votim për largimin e kryetarët i cenon interesat e tyre, pavarësisht komuniteteve që u përkasin”, ka thënë Jakupi.
Sipas tij, procesi për largimin e kryetarëve është i vështirë për shkak të procedurave dhe numrit të votave.
Mbi 200 qytetarë votuan deri në orën 15:00, në Zveçan ende asnjë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 200 qytetarë në Leposaviq, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut. Por, asnjë nuk ka dalë të votojë në Zveçan.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se 122 qytetarë votuan në Leposaviq, 17 në Zubin-Potok dhe 64 në Mitrovicë.
Dalja e qytetarëve në votim është vlerësuar tejet e ulët.
"Në emër të KQZ-së, ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre", ka thënë Elezi.
DnV-ja e quan dështim votimin në veri
Në shumë qendra votimi nuk plotësohen kushtet për të garantuar votë të lirë, deklaroi Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV).
Ai konsideroi se këto votime janë të dështuara për shkak të pjesëmarrjes së ultë të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.
Sipas tij, qytetarët serbë janë viktimë e Listës Serbe dhe Beogradit.
Ai tha se qendrat janë hapur me kohë, megjithatë nuk ka pasur interesim të qytetarëve.
"Është një proces i qetë, normalisht ka problematikat e veta në aspektin teknik dhe organizativ të këtij procesi qe fillon nga dje kur KQZ me vonesë ka përcaktuar qendrat e votimit. Dhe në këto qendra të votimit nuk ka arritur të njoftojë qytetarët me kohë të mjaftueshme se ku janë këto qendra të votimit. Në shumicën e qendrave nuk ka as shenja paraprake që orientojnë qytetarët potencialisht se ku janë këto qendra të votimit. Mendoj se shenjat teknike si në këtë qendër, vendvotimet janë caktuar në katin e katërt, janë kushte jo të mjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara, ku personat me vështirësi me moshë të caktuar. Normalisht hapësirat në disa qendra, të cilat në ditën e fundit janë marrë vendim që të jenë qendra votimi nuk i plotësojnë mjaftueshëm kushtet për të garantuar votë të lirë dhe të drejtë marrë parasysh hapësirave të ngushta", deklaroi ai.
Problem tjetër, shtoi Kryeziu, është edhe mënyra e vendosjes së kamerave në vendvotime.
"Mënyra se si është vendosur kutia e votimit ose kutia ku duhet të votohet, mendoj që është e ekspozuar përballë këtyre kamerave, por edhe komisionarëve në këto hapësira të ngushta. Dhe kjo mendojmë që është intimiduese dhe nuk garanton fshehtësinë e votës", shtoi ai.
Sipas tij, Lista Serbe ka ndikuar te qytetarët që të ketë pjesëmarrje të ulte në procesin e votimit.
"Jemi duke folur për 100 qytetarë deri në informacionet e fundit që i kemi, në të gjitha komunat e Kosovës. S’e besoj që do të arrijë ndonjë përqindje kjo dalje në këtë formë ose në këtë format se si po shkon procesi. Qytetarët serbë në këtë rast janë viktimë e politikave, por edhe viktimë e Listës Serbe, të politikës së Beogradit, por edhe e Qeverisë së Kosovës, e cila jo mjaftueshëm ka bërë për të adresuar këto çështje", tha ai.
Më tej, Kryeziu theksoi se këto votime janë të dështuara sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve me të drejtë vote.
"Në aspektin ligjor, në masë të madhe plotësohen kriteret ligjore për organizim, por gjithsesi si pjesëmarrje janë të dështuara. Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje KQZ-së që të anulojë këtë proces. Duke marrë parasysh koston financiare, angazhimin e njerëzve dhe duke marrë parasysh indikatorët për bojkotimin e këtij procesi zgjedhor", përfundoi ai.
Në katër komunat në veri të Kosovës kanë të drejtë vote mbi 46 mijë qytetarë. /KSP
Shefi i EULEX-it: Po e monitorojmë situatën në veri bashkë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in
Shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka deklaruar se ky mision po e monitoron situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat veriore ku po zhvillohet votimi për largimin ose jo të kryetarëve aktualë.
Barbano ka njoftuar se monitorimi i EULEX-it po bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat ku po zhvillohet votimi për largimin e kryetarëve”, ka shkruar ai në platformën X.
Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan – po votojnë sot nëse duan t'i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Dalja deri në ora 11:00 ka qenë shumë e ulët.
Peci s’do të votojë: S’shoh arsye të dal kundër vetes
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se nuk do të dalë për të votuar të dielën, pasi që Lista Serbe e ka nisur këtë procedurë.
Në lidhje me procesin e sotëm, ai tha se të gjitha qendrat e votimit në komunën e Zveçanit janë hapur me kohë dhe deri tani gjithçka është duke u zhvilluar normalisht.
Ai nuk ka dashur të komentojë mos pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në këto votime, ndërsa u shpreh i bindur se nëse do të kandidojë në zgjedhjet e ardhme, sërish do të fitojë.
"Në ora 7:00 të mëngjesit të gjitha qendrat e votimit në komunën e Zveçanit janë hapur. Deri tani gjithçka është duke shkuar në rregull. Jo nuk kam votuar dhe nuk do të votoj për arsye se Lista Serbe e ka nisur këtë procedurë dhe nuk po e shoh të arsyeshme të dal kundër vetes. Sigurisht që ata i kanë arsyet e veta dhe nuk kanë dalë. Çdoherë kur kam kandiduar kam fituar. Shpresoj se nëse kandidoj prapë do të fitoj", tha ai.
85 vota deri në orën 11:00, asnjë në Zveçan
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se deri në orën 11:00, në Leposaviq kanë votuar 46 persona, shtatë në Zubin-Potok, asnjë në Zveçan dhe 32 në Mitrovicë të Veriut.
Në konferencën e dytë të mbajtur për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore, Radoniqi ka thënë se këto janë të dhënat që kanë pranuar nga Komisionet Komunave të Zgjedhjeve në këto komuna.
“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim: Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues”, ka thënë ai.
Tutje Radoniqi ka bërë thirrje për qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Në Suhadoll vetëm 6 votues, të gjithë shqiptarë
Në qendrën e votimit në fshatin Suhadoll të Mitrovicës së Veriut, më saktësisht në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” deri më tash kanë ushtruar të drejtën e votës për shkarkim apo jo të kryetarit, vetëm gjashtë votues.
Komisioneri i kësaj qendre, Gentian Rushiti, ka thënë se nga 1740 persona sa kanë të drejtë vote në këtë qendër vetëm gjashtë, të gjithë shqiptarë, kanë votuar.
Ai ka thënë se po shohet që është proces bojkoti dhe nuk pret ndryshime.
“Vetëm gjashtë kanë dalë, etniteti kryesisht shqiptarë, pak të interesuar ka nga etnitë tjera. Për momentin, duke marrë parasysh se në këtë qendër janë 1740 votues, dhe duke pasur parasysh herët e kaluara, mund të themi se po ndodh bojkot. Nuk presim të ketë shumë ndryshime. Mund të ketë pak, por jo shumë ndryshim”, ka thënë Rushiti për “KTV”.
Krasniqi: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë.
Në konferencën për media nga fshati Soçanicë e Leposaviqit, Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ai.
Derisa u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj zone që të marrin pjesë në votim, Krasniqi ka njoftuar se procesi deri tani po shkon në rregull.
“Unë sot fillova t’i vizitoj disa prej hapësirave ku po organizohet votimi i pyetjes se a do të duhet të largohet kryetari i komunës nga funksioni ose jo, një proces i filluar vitin e kaluar në gusht kur filluam si ministri që të hapim mundësinë që qytetarët të deklarohen rreth pakënaqësisë së tyre për kryetarët në funksion. Udhëzimi administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion. Sot është hapur gjithçka në rregull dhe po shohim si po shkon procesi. Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin që të mundësojë që qytetarët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ta bëjnë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”, është shprehur ai.
Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se Lista Serbe dhe Beogradi kanë dhënë urdhër për bojkotim jo sepse nuk duan zgjedhje, por sepse nuk duan të përballen me dështimin eventual të tyre.
“Por, për institucionet e vendit më e rëndësishme se kjo është obligimi që kemi marrë për të krijuar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin në mënyrë demokratike vullnetin e tyre duke përmbushur kështu edhe një zotim të dhënë edhe karshi qytetarëve edhe faktorit ndërkombëtar për krijimin e rrethanave për zgjedhje të reja atje. Është në duar të qytetarëve atje që të shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërkohë që është rendi që secila masë e padrejtë mbi Kosovën të hiqet përfundimisht”, ka shtuar ai.
Nga votuesit e paktë aty ka qenë edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.
Kryetari i Zubin-Potokut s’do të votojë: Jam i preferuar nga shumica e qytetarëve
Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nuk do të dalë të votojë.
Sipas tij, shumica e qytetarëve nuk janë për largimin e tij.
“Deri tash nuk ka ndonjë përgjigje të qytetarëve për këtë lloj votimi. Deri tash gjithçka po shkon në rregull. Përgjigja është shumë e vogël”, ka thënë ai duke shtuar se çdokush është i lirë të votojë.
Zeqiri ka shtuar se votimi i sotëm është mundim për qytetarët, teksa është shprehur se qytetarët e duan atë si kryetar.
“E kam parë se nga pjesa e madhe e qytetarëve edhe si kryetar e si kabinet jam i pranueshëm, jam i preferuar, nuk ka ndonjë kundërshtim tani, në përjashtim në fillim që grupet kriminale i detyronin të protestonin. Situata ka ndryshuar”.
Edhe pse qendrat e votimit janë hapur me kohë, interesimi i qytetarëve për të votuar për apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave në veri ka qenë shumë i ulët.
Rreth tri orë nga hapja e vendvotimeve, në komunën e Zubin-Potokut raportohet se kanë votuar vetëm katër qytetarë.
Szunyog: Po e vëzhgojmë votimin me 17 ekipe e rreth 60 persona në terren
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se janë 17 ekipe me rreth 60 persona në terren që po e vëzhgojnë votimin në qendra të ndryshme.
Në një deklaratë dhënë KTV-së, Szunyogu ka thënë se i kanë koordinuar ekipet e ndryshme në të gjitha komunat ku po mbahet votimi, për të vërtetuar faktet nga terreni.
“Vendosëm të dërgojmë vëzhgues në këtë proces. Janë organizuar shtetet anëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare nga vendet e tjera partnere, janë 17 ekipe për rreth 60 persona që kanë shkuar në qendra të ndryshme votimi”, ka thënë ai nga Zubin-Potoku.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta vëzhgojnë terrenin për t’i vërtetuar faktet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar bojkotin e zgjedhjeve për votimin pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore. Për bojkot të këtij procesi zgjedhor ka bërë thirrje Lista Serbe.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu ka vizituar qendrën e votimit në Zubin-Potok ku po votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarit Izmir Zeqiri.
Deri në orën 11:00, në këtë komunë kanë votuar vetëm shtatë qytetarë.
Vetëm dy votues deri më tani në qendrën e votimit në Zubin-Potok
Dy orë pas hapjes së qendrës së votimit në Komunën e Zubin-Potokut, për shkarkimin "pro" ose "kundër" të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri, kanë votuar vetëm dy qytetarë.
Qytetarja e dytë që ka shfrytëzuar të drejtën e votës nga komuniteti serb ka thënë se është kundër shkarkimit të kryetarit të kësaj komune. Sipas saj, kryetari është duke bërë punë të mirë.
"Jam kundër shkarkimit të kryetarit...Po (ka punuar mirë). Duhet të shfrytëzojnë votën të gjithë", tha ajo./KSP
Dy votues kanë hedhur votat në Çabër në këtë komunë.
Asnjë votë në Soçanicë të Leposaviqit
Fatmir Cacaj, kryesues në qendrën e votimit në Soçanicë, ka deklaruar se edhe pas tre orësh që nga hapja e votimit, asnjë person nuk ka votuar për apo kundër shkarkimit të kryetarit të komunës së Leposaviqit.
Ai ka shtuar se kamerat janë funksionale dhe gjithçka është në rregull deri tani.
“Vonesa nuk ka pasur, përgatitjet i kemi bërë të gjitha, votimi është hapur në orën 07:00 siç parashihet edhe me ligj, kamerat janë funksionale, gjithçka është në rregull dhe po vazhdojmë po presim. Në këtë qendër janë 5 vendvotime dhe janë afërsisht 2.800 votues. Deri më tani nuk kemi ndonjë votues, po presim në vazhdim”, ka thënë ai për KTV-në.
Votimi në këtë fshat po mbahet te ish-objekti i stacionit policor, që tashmë është në pronësi të komunës.
DnV: Interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e votimit
“Demokracia në Veprim”, ka thënë se ka pasur interesim minimal të qytetarëve deri më tash për të votuar në votimin për ose kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës.
DnV ka vlerësuar se sa i përket administrimit të procesit Komisioni Qendror Zgjedhor është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit.
“Vëzhguesit tanë kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë. Sipas vëzhguesve, të gjitha qendrat e votimit që janë vizituar deri tani, janë hapur me kohë dhe komisonerët kanë qenë të pranishëm. Policia e Kosovës është prezente dhe po garanton sigurinë e procesit. Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit. Sa i përket administrimit të procesit, KQZ është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit. Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyrë”, ka thënë DnV.
Po ashtu DnV ka thënë se kabinat e votimit janë vendosur në pozitë që mund t’u cenohet fshehtësia e votës qytetarëve, marrë parasysh vendosjen e kamerave.
Procesi i votimit brenda disa Qendrave të Votimit është aranzhuar për disa vendvotime në një hapësirë të përbashkët sipas modelit të hapur.
“Instruksionet për vendosjen kabinave të votimit në këtë mënyrë janë përfshirë në udhëzuesit që KQZ ka përgatitur. Kjo është hera e parë që qytetarët do të votojnë nën survejimin e kamerave. Demokracia në Veprim do t’ju mbajë të informuara gjatë ditës për ecurinë e procesit”, thuhet nga DnV.
Shtatë vota në Leposaviq, të gjitha me kusht
Për më pak se dy orë që nga hapja e qendrave të votimit në komunat veriore për shkarkimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, në Leposaviq kanë votuar shtatë persona.
Të gjithë votuesit janë komisionerë dhe kanë votuar me kusht.
Në total në këtë qendrën kryesore të votimit 4.286 persona kanë të drejtë vote, por nuk ka asnjë votës të rregullt në këtë qendër.
Te qendra e votimit te stacioni i autobusëve, e cila është në një objekt privat na e kanë konfirmuar se nuk është hedhur asnjë votë.
Pyetja në fletëvotime është: A pajtoheni që Lulzim Hetemi të largohet nga funksioni i kryetarit të komunës së Leposaviqit?
Asnjë qytetar i interesuar për votim në qendrat në Banjskë dhe Bërnjak
Megjithëse të gjitha vendvotimet në Zveçan e Zubin-Potok ishin hapur me kohë, nuk ka pasur interesim të qytetarëve për të votuar.
Në Banjskë dhe në Bërnjak asnjë qytetar nuk ka votuar deri tash.
Në qendrën e votimit në Banjskë janë 550 qytetarë me të drejtë vote. Aty ka qëndruar për pak edhe EULEX-i.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën në Bërnjak.
As në qendrën në fshatin Lipe të Zveçanit nuk është paraqitur asnjë prej 204 qytetarëve me të drejtë vote.

Prokuroria e Policia në gatishmëri në katër komunat veriore
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se prokuroria bashkë me hetuesit policorë kanë nisur planin operativ për mbarëvajtjen e procesit në katër komunat në veri.
Ajo ka theksuar se “të katër prokurorët janë në qendrat e votimeve në katër qendrat kryesore -Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë e Veriut së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës”.
Pula u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast incidenti ta informojnë Prokurorinë menjëherë.
“Në 23 qendrat e votimit me 63 vendvotime prokurori i shtetit bashkë me PK është në dispozicion në mbrojtje të votës dhe eventualisht keqpërdorimit të drejtës së votës. Prokurorët tani janë në stacionet policore në katër komunat dhe do operojnë bashkë me hetuesit e PK-së”, ka thënë ajo në një lidhje direkte për KTV.
Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë sot nëse duan apo jo të largojnë kryetarët komunalë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.
KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat veriore për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se ka mundur të ketë ndonjë vonesë në hapjen e vendvotimeve, por që nga ora 07:00 deri në disa minuta para orës 08:00, të dhënat tregojnë se janë hapur të gjitha.
“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit në Leposaviq është tetë, në tri komunat tjera janë nga pesë sosh. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit në këto katër komuna është 23, me gjithsej 63 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote për apo kundër largimit të kryetarëve është 46 mijë e 556 votues. Ndoshta ka mundur të ketë ndonjë vonesë në hapjen e ndonjë vendvotimi, por të gjitha qendrat janë të hapura në këto komuna. Ndonjë vonesë eventuale mund të jetë edhe e zakonshme”, ka thënë Elezi.
KQZ-ja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Votimi në veri nën vëzhgimin edhe të kamerave
Në qendrat e votimit në katër komunat veriore ku po mbahen votimet për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë janë vendosur kamerat.
Vendosja e kamerave nëpër vendvotime është bërë për herë të parë në Kosovë, dhe parashihet që kjo praktikë të vazhdojë tash e tutje në zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati njoftuar më 11 prill se vendosja e kamerave “do të jetë praktikë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore”.
Sipas KQZ-së, ky vendim është marrë për të shmangur parregullsitë e mundshme gjatë procesit zgjedhor. Ky institucion pati thënë se vendosja e kamerave në asnjë mënyrë nuk e cenon fshehtësinë e votës.

Hapen qendrat e votimit në Leposaviq
Anëtari i KKZ-së nga komuna e Leposaviqit, Lutfi Hasani, në një lidhje direkte për KTV-në ka thënë se janë hapur qendrat e votimit në komunën e Leposaviqit.
Hasani ka thënë se në Leposaviq janë tkurrur në dy qendra shkaku i rrethanave.
“Qendra e parë numëron 2583 votues e qendra e dytë 1703 votues”, ka thënë Hasani.
Ai ka cekur se gjithë zyrtarët janë në qendra dhe mund të votohet.
“Është dashur të merren zyrat komunale me i improvizuar si qendra votimi për shkak të pamundësive, mosfunksionimit të qendrave në nivel komunal që i kishim më herët. Vlen të ceket se stafi janë në qendra vendvotimi dhe këto qendra janë të hapura e votuesit janë të mirëseardhur të kryejnë obligimin. Në vonesa kanë ndikuar disa faktorë, një prej kryesorëve ka qenë se s’kemi pasur vendimin e sistemit të materialit”, ka thënë Hasani.
Edhe në Zveçan janë hapur qendrat e votimit. Në qendrën kryesore të votimit në këtë komunë, ku mund të votojnë mbi 4 mijë qytetarë, komisionerët dhe vëzhguesit janë ende në pritje të qytetarëve.
Ende nuk janë hapur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat në veri
Në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Zubin-Potok qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Qendrat e votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve është paraparë të hapeshin nga ora 7 e mëngjesit.
Agim Kastrati, kryesues i KKZ-së në komunën e Zubin-Potokut, ka thënë se në këtë komunë me përjashtim të disa problemeve të vogla teknike çdo gjë po shkon sipas planit.
Ai ka thënë se s’ka ende informata nëse ndokush e ka shfrytëzuar të drejtën e votimit.