Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku, derisa ka folur për dështimin e konstituimit të Kuvendit, ka thënë se këto janë taktizime të partisë në pushtet, por edhe të atyre në opozitë.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Maloku ka thënë se Kosova ka shumë probleme të brendshme, por edhe të jashtme, andaj nuk e ka komoditetin të bëjë këso taktizime, që sipas tij, janë për qëllime elektorale.
“Këto janë taktizime edhe të pushtetit, edhe të opozitës. Opozita politikisht është dashur ta aprovojë mendimin dhe raportin e komisionit vlerësues për certifikimin e mandateve dhe kjo do të hapte rrugë. Kosova ka shumë probleme dhe nuk e ka luksin të bëjë këso taktizime për qëllime elektorale. Të gjitha partitë e kanë të qartë se nuk mund të shkohet me një qeveri të brishtë për shkak të këtyre sfidave që ka Kosova. E gjithë kjo dramë po bëhet për kalkulime. Qeveria e brishtë sikur nga opozita apo pushteti, nuk do të ketë jetëgjatësi. Numrat janë të tillë që nuk sjellin jetëgjatësi, një qeveri e brishtë është e dëmshme për shkak të problemeve që ka Kosova”, ka deklaruar ai.
Maloku tutje e ka quajtur gabim adresimin te Presidentja për çbllokimin e situatës, të cilën e tha deputeti më i vjetër në moshë i zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit, Avni Dehari.
“Gabimisht është adresuar të presidentja, pasi me ligjin zgjedhor nuk parasheh kompetenca të tilla dhe adresa është e gabuar. Unë mendoj që i vetmi mekanizëm që mund ta sqarojë këtë pozicion është Gjykata Kushtetuese. Mendoj se edhe subjektet politike, si përfaqësuesit e Qeverisë, por edhe opozita do t’i konsumojnë këto 48 orë dhe brenda tyre do ta bëjnë certifikimin e deputetëve. Pa u certifikuar deputetët nuk mund të hyjnë në aranzhime të tjera”, ka thënë ai.