Arbëri

“Dëshmo edhe ti” për dokumentimin e masakrës së Krushës së Madhe

Nën moton “Dëshmo edhe ti”, të enjten, në Qendrën Rinore të Krushës së Madhe, është mbajtur një takim me banorët e këtij lokaliteti ku u diskutua për ecurinë dhe sfidat e projektit për dokumentimin e masakrës që ka ndodhur aty gjatë luftës së fundit për liri.

“Ndero veten, familjarët, Krushën e Madhe e gjithë Kosovën. Nëse nuk i shkruajmë përjetimet tona sot në histori, nesër na i shkruan armiku përsëri, siç do ai", është thënë në takimin ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të familjarëve e të mbijetuar të masakrës së Krushës së Madhe.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë i Universitetit të Prishtinës.

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e Krushës së Madhe në internet, projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, nga Ambasada Amerikane, nga Komuna e Rahovecit dhe nga vetë fshati Krushë e Madhe.

Projekti ka për synim të mbledhë, të dokumentojë, të publikojë dhe të promovojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve okularë të masakrës së Krushës së Madhe që ka ndodhur në vitin 1999 nga forcat militare e paramilitare serbe.

Synohet që të realizohen rreth 300 intervista me histori gojore nga dëshmitarët dhe të mbijetuarit e masakrës, gjenocidit serb ndaj krushjanëve.

Në takim ishte i pranishëm drejtori i bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, dhe profesorët-mentorë të projektit, Shemsi Krasniqi , Arsim Canolli e Tahir Latifi.

“Së bashku për të dëshmuar gjenocidin, etnocidin, dëbimin masiv, krematoriumet dhe gjithë krimin shekullor serb ndaj shqiptarëve”, është synimi i projektit të rëndësishëm.

Legjenda: Në kuadër të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, të enjten është mbajtur takim ku është diskutuar për ecurinë me mënyrat e konkretizimit të kësaj nisme