Në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka vazhduar rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në këtë seancë janë paraqitur dëshmitarët e propozuar nga pala e dëmtuar, ku Ganimete Zyrapi ka dëshmuar se si nga goja e Shalës ka dëgjuar për heqjen qafe të Haxhi Përteshit, axhës së saj
Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Aty u dëgjuan dy dëshmitarë, të propozuar nga pala e dëmtuar.
Ganimete Zyrapi dhe Nuhi Zyrapi kanë paraqitur versionin e tyre për ndodhitë në verë të vitit 1998, me ç’rast dëshmitarja e parë ka theksuar se duke shërbyer çaj në shtëpinë e burrit të saj, që vizitohej shpesh nga pjesëtarët e UÇK-së, ka dëgjuar se si Remzi Shala edhe në prani të personave të tjerë është shprehur se e “kanë hequr qafe edhe njërin”.
Sipas saj, kur Shala është pyetur se kënd e kanë hequr qafe, ai është përgjigjur “Haxhi Përteshin” dhe se në këtë moment ajo është shtangur dhe e ka tërhequr çajin e shërbyer.
“Edhe i kam thënë ti axhën tim e paske mbytë... nuk po e akuzoj që e ka mbytë...edhe çajin tim po donë me pi. Jo. Edhe kam ikë prej aty, ka qenë vjehrra ime e ndjerë, kunati im i ndjerë, kam shku në dhomën tjetër, ata më kanë qetësuar”, ka deklaruar dëshmitarja Ganimete Zyrapi.
Ndërsa, Nuhi Zyrapi duke konfirmuar dëshminë e Ganimetës, ka pohuar se është ulur për të biseduar me Remzi Shalën për këtë temë.
“Ai më ka shikuar mua dhe unë e kam shikuar atë, edhe më ka thënë: 'Mas një zogu me m'pasë çu fjalë për qet rast se është miku juaj nuk kishte ndodhë kjo’”, ka thënë Nuhi Zyrapi.
Mirëpo, mbrojtësi i Remzi Shalës ka hedhur dyshime lidhur me dëshminë e Ganimete Zyrapit.
“Kjo gjykatë është bërë vend ku secili dëshmitar jep versione të kundërta, i mbrojturi im mbahet në paraburgim për shkak të deklarimeve të tyre dhe asnjë dëshmitar nuk jep përgjegjësi për gënjeshtrat që i thotë në gjykatë", ka thënë Blerim Mazreku, avokat i Remzi Shalës.
Pas kësaj, ka reaguar avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, i cili e ka quajtur të papranueshme këtë gjuhë ndaj dëshmitarëve dhe ka theksuar se i akuzuari mbahet në paraburgim jo nga dëshmitarët, por me vendim të Gjykatës, që është shumëshkallësh.
Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vjet burg. Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë aktgjykim, duke zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.