Dëshmitarja e propozuar nga mbrojtja në rastin e sulmit në Zyrën e Komisionit Komunal (KKZ), Daniela Sokoviq, tha se nuk e di se çfarë mbante çanta e ambulancës në ditën e sulmit terrorist. Sokoviq, e propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Milun Milenkoviq (Llune) tha para Gjykatës Themelore në Prishtinë se çanta i ka për çdo ditë gjërat e njëjta si fashat e barnat.
“Si çdo ditë tjetër, pasi unë e kryej pinën profesionale, çanta ka pasur gjërat e njëjta”, u shpreh ajo.
E pyetur përsëri për bazën e njohurisë së saj, dëshmitarja u shpreh se nuk e di konkretisht.
“Me të vërtetë nuk më kujtohet dhe ajo është rutinë dhe nuk e di, është punë e teknikut”, tha dëshmitarja Sokoviq.
Dëshmitarja tha se kanë pranuar thirrje nga një person i panjohur për të shkuar te tre rrokaqiejt (soliterat) në Mitrovicë të Veriut. Atje tha se e panë një turmë me persona të maskuar, burra e gra, rreth 15 vetë. U shpreh se nuk e ka parë kush e ka hapur derën e autoambulancës.
Prokuroria Speciale në këtë rast pretendon se autoambulanca u përdor për qëllimin e sulmit terrorist dhe se videoincizimet e vërtetojnë se i pandehuri Milun Milenkoviq e ka hapur derën dhe e ka marrë çantën me granata dore.
Më 30 janar 2024 Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e sulmit terrorist, të kryer në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, dhjetorin e vitit 2022.
Prokuroria i ngarkon ata për sulm ndaj rendit kushtetues dhe institucioneve, pasi me anë të mjeteve shpërthyese u përpoqën t’i detyronin institucionet që të zmbrapseshin nga organizimi i zgjedhjeve komunale në veri.